Policia: Krimet e luftës të raportohen vetëm te Drejtoria për Hetim

- Advertisement -

 

Policia e Kosovës njofton qytetarët se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda Policisë së Kosovës për pranimin, verifikimin, hetimin penal dhe procedimin e të gjitha informacioneve, kallëzimeve dhe rasteve penale që ndërlidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të mandatit të saj, drejtoria trajton të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre, përfshirë informacionet e siguruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe ato të identifikuara nga burime të hapura dhe publike, duke vepruar në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Referuar publikimeve në media për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës adresë zyrtare dhe kompetente për paraqitjen e çdo informacioni, prove apo të dhëne që ndërlidhet me krimet e luftës mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës- Departamenti për Krime të Luftës.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës inkurajojnë të gjithë qytetarët, dëshmitarët, viktimat, familjarët e tyre, si dhe çdo subjekt tjetër që posedon informacione me rëndësi për hetimin e krimeve të luftës, që t’i adresojnë ato në këto institucione, duke garantuar integritet të hetimit, trajtim profesional, konfidencial dhe në përputhje me standardet ligjore.

Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Prokuroria Speciale, mbeten të përkushtuara dhe të hapura për bashkëpunim me qytetarët dhe të gjitha institucionet, me qëllim zbardhjen e krimeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë.

Të ngjashme

Të fundit