Analisti politik Belgzim Kamberi ka deklaruar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës si presidente e Kosovës është rezultat i një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Duke folur në Debat Plus, Kamberi ka thënë se marrëveshja, sipas tij, ka përfshirë emrin e Shiroka-Pulës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Ai ka vlerësuar se, pavarësisht përpjekjeve të disa përfaqësuesve të LVV-së dhe PDK-së për ta paraqitur si jo si marrëveshje mes dy palëve, zhvillimet pas zgjedhjes së presidentes po tregojnë një afrim gjithnjë e më të madh mes dy partive.
“Unë e kuptoj që brenda LVV dhe nga disa eksponentë të PDK ka përpjekje për të thënë që nuk është marrëveshje midis dy palëve por është marrëveshje politike. Ajo që po duket që nga zgjedhja e presidentes që ka një përfarim çdo herë më të madh midis PDK dhe LVV”, ka deklaruar ai.
Kamberi ka theksuar se nuk do të thoshte se LVV-ja i ka marrë të gjitha pushtetet në Kosovë, por ka shprehur shqetësimin për atë që e sheh si tendencë për përqendrimin e pushtetit rreth një personi, kryeministrit Albin Kurti.
“Nuk do të thoja që VV-ja i ka marrë të gjitha pushtetet në Kosovë, por ka një tendencë për ta koncentruar pushtetin rreth saj, rreth një njeriu, rreth Albin Kurtit”, ka deklaruar Kamberi.






