Albin Kurti e Aleksandar Vuçiq ishin dakorduar për një takim në Bruksel, si vazhdim i dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Megjithatë, zgjedhjet në Kosovë e kanë pamundësuar një gjë të tillë.
Këtë ‘sekret’ e zbuloi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Kaja Kallas.
“Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës – dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve – nga Kosova dhe nga Serbia – por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas.
Sipas saj, Bashkimi Evropian po vazhdon angazhimin përmes punës me të dyja palët, me qëllim zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.
“Unë, megjithatë, po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”, shtoi ajo.
Këto deklarata u bënë para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së me përfaqësues të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Kosova kërkon trajtim të barabartë dhe të drejtë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se vendi është i gatshëm të ecë përpara brenda një procesi meritokratik.
“Gjithashtu, ne duam të kemi një trajtim të barabartë dhe të drejtë nga BE-ja, ne si Kosovë jemi gati të lëvizim dhe të avancojmë brenda këtij kuadri të procesit bazuar në merita. Në të njëjtën kohë, ajo që mendojmë është se çfarë do të thotë në të vërtetë ky proces bazuar në merita është që Kosova të ketë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociatat për anëtarësim në BE”, ka thënë Konjufca.
Takimi i sotëm në Bruksel mes ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor pritet të shërbejë si platformë për thellimin e diskutimeve mbi zhvillimet politike dhe sfidat aktuale në rajon.
Në tryezën e përbashkët do të marrin pjesë 27 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së dhe gjashtë kryediplomatët e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit politik dhe strategjik ndërmjet Brukselit dhe rajonit.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës do të jetë edhe përgatitja për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në muajin qershor në Tivat.
Sipas diplomatëve evropianë të përfshirë në organizimin e takimit, Bashkimi Evropian synon të mbajë në fokus procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosova dhe Serbia, për të cilin ka shqetësime lidhur me ritmin e deritanishëm të progresit






