Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e tridhjetë e tretë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë portierit të FC Drenicës, Kenan Haxhihamzës, i cili ishte vendimtar me pritjet e tij në fitoren shumë të rëndësishme të skuadrës së Drenicës kundër SC Gjilanit, me rezultat 2:1.
📈Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
🗣️Pasi mori këtë çmim, Haxhihamza u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:
“E kemi përgatitur ndeshjen shumë mirë, sidomos duke e ditur rëndësinë e saj dhe pozicionimin tonë në tabelë, duke qenë të vetëdijshëm që pikët e plota duhet të mbesin në Drenicë.
Kundërshtari nuk ka qenë i lehtë, sepse në radhët e SC Gjilanit ka individë të cilët mund ta vendosin ndeshjen, megjithatë e kemi analizuar mirë për të arritur te ky rezultat.
Për rezultatet e FC Drenica duhet falënderuar shtabin e trajnerëve për punën e jashtëzakonshme që nga ardhja e tyre, ekipin, por në veçanti kapitenët, të cilët me eksperiencën e tyre kanë arritur të krijojnë një atmosferë të mrekullueshme në zhveshtore, e cila reflektohet edhe në fushë, ku gjithmonë shfaqemi si një ekip i bashkuar.
Pritjet e mia në këtë ndeshje kanë ndihmuar ekipin dhe për këtë jam shumë i lumtur, si në aspektin individual, po ashtu edhe në atë kolektiv.
Meqë tashmë është shpallur matematikisht kampion FC Drita, i uroj për punën e bërë dhe për titullin e merituar, duke i dëshiruar suksese në garat evropiane.“tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.






