Marilyn Monroe do të festonte 100-vjetorin e lindjes këtë vit, më 1 qershor.
Në nder të këtij momenti të rëndësishëm, miku i saj i vjetër, James Haspiel, foli me revistën PEOPLE rreth trashëgimisë së saj.
Haspiel, i cili është 88 vjeç, e takoi yllin kur ishte vetëm adoleshent. Fillimisht ai ishte një fans i saj që e fotografonte me kamerën e tij prej pesë dollarësh, por përfundimisht u bë një mik i ngushtë i legjendës.
“Marilyn Monroe ishte një ‘kostum’ që ajo e vishte,” tha ai. “Ishte një krijim i saj, i cili i solli sukses, por në jetën reale ajo ishte Norma Jeane.”
Norma Jeane ishte emri i vërtetë i ikonës së famshme, të cilin ajo më vonë e ndryshoi për ta bërë veten më të njohur dhe më të tregtueshme.
Mbiemrin Monroe e mori nga mbiemri i vajzërisë së nënës së saj, ndërsa emri Marilyn u frymëzua nga aktorja e Broadway-it, Marilyn Miller.
Ai më tej shpjegoi se një nga arsyet pse Monroe ishte kaq e dashur nga publiku ishte sepse ajo nuk kishte frikë të tregonte trupin e saj natyral.
“Ajo ishte e dashur sepse nuk mbante korse (girdle),” tha ai. “Ajo ishte e vërtetë. Bënte gjëra që aktoret e tjera rrallë i bënin.”
Duke vazhduar, ai shtoi: “Në vitet 1950 dhe më parë, dhe ndonjëherë edhe më pas, aktoret mbanin korse për të pasur bark të sheshtë. Lana Turner është një shembull i përsosur. Ajo kishte një figurë të përsosur.”
Haspiel ka botuar në vitin 1991 librin Marilyn: The Ultimate Look at the Legend, i cili përmbante fotografi të pa publikuara më parë që ai kishte realizuar për yllin.
Duke folur për disa fotografi të tjera të famshme të saj, ai tregoi se kishte pasur spekulime se ajo mund të ishte shtatzënë kur u fotografua për filmin e vitit 1961 The Misfits.






