Gazetari Vehbi Kajtazi ka deklaruar se mënyra e shpejtë e miratimit të disa ligjeve dhe emërimeve në institucione po tregon, se vendi mund të jetë duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja.
Ai ka përmendur votimin e ligjeve, zgjedhjen e anëtarëve të bordeve si ai i RTK-së dhe KPM-së, si dhe procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se këto veprime lidhen me një kalkulim politik të kryeministrit Albin Kurti.
“Ngutia me votimin e këtyre ligjeve, zgjedhja e anëtarve të bordit të RTK-së, KPM-së, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të përzgjedhur të VV-së, mu po ma konfirmon se Albin Kurti po e di që po shkojmë në zgjedhje dhe për këtë arsye po do ti votojë disa ligje elektroale me të cilat ka ardh në pushtet, ka qenë në pushtet, nuk i ka miratu. Duhet theksu se ligji për sigurime shëndetëse është votu në kohën e Isa Mustafës. Ne kemi pas një ligj në fuqi”, ka thënë Kajtazi në “VV Show”.
Ai ka shtuar se disa nga këto ligje, po përdoren si argument politik për fushatë të ardhshme, duke i cilësuar si “kartë prezantimi”.
“Tani ky ligj që e votuan me kaq nguti përfshirë edhe për çmimet tavan, ligjin për Byronë, po i përdor Kurti si kartë që kur të shkon në zgjedhje me i pas si prezantim para publikut se kqyre çka kemi bo na, e në fakt nuk ka bo kurgjo”, tha Kajtazi.
Ndërkaq analisti Visar Ymeri ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet diskutimi publik në politikë, duke thënë se vëmendja është përqendruar në një çështje të vetme, ndërsa shumë tema të tjera të rëndësishme po mbeten jashtë debatit.
Sipas tij, fokusi i opinionit publik është zhvendosur te çështja e presidentit.
Ai ka përmendur disa zhvillime institucionale që, sipas tij, po kalojnë pa debat të mjaftueshëm publik.
“Diskutimi publik në politikë është ka shndërrohet në anomali ku krejt opinioni publik është i fokusuar në një pikë, a po zgjedhim president apo jo, që është pikë e rëndësishme, ndërkohë që shumë çështje tjera shumë të rëndësishme po ndodhin në anën tjetër për të cilat nuk ka diskutim. Gjykata Kushtetuese dy anëtarë të rinj, kapja e KPM-së, kapja e bordit të RTK-së”, u shpreh Ymeri.






