Deputetja e Aleancës Time Kadriaj, ka reaguar ndaj Salih Zybës dhe Alban Krasniqit të Vetëvendosjes, pas deklaratave të tyre për Daut Haradinajn, i cili foli për rrethanat në të cilat u votua ligji për Gjykatën Speciale.
“Dauti i doli në mbrojtje qytetarëve që i rrahu Kurti, vetëm pse kërkuan ligj për çlirimtarët. Mbyllne, o farë e flliqtë!”, ka shkruar Kadriaj.
Reagimi i saj erdhi pasi Alban Krasniqi shkroi se Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku do të arrestohen, sipas tij, për vepra “kriminale dhe korruptive”.
Ndërkaq, Salih Zyba kërkoi që Prokuroria t’i trajtojë informacionet që, sipas tij, i ka pasur Haradinaj.
“Dauti paska folë kogja qartë, tash është koha e Prokurorisë të gjitha këto informacione që ky i paska pasur dhe ditur t’i trajtojë. Dhe rrëfimi kaq i detajizuar a del të jetë plan i tij apo si?”, ka shkruar Zyba.
Këto reagime erdhën pasi Daut Haradinaj, në emisionin “Rubikon” të mërkurën mbrëma, deklaroi se Albin Kurti kishte frikë nga ajo që mund të ndodhte nëse ligji për Gjykatën Speciale nuk do të votohej atë natë.
Sipas Haradinajt, protestuesit ishin të përgatitur që të mos lejonin asnjë deputet të largohej nga Kuvendi pa u votuar ligji, ndërsa ai pretendoi se situata mund të përfundonte me gjakderdhje.






