Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, ka folur rreth vizitës së Shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të inteligjencës, William Burns, më 22 gusht në Kosovë.
Në një intervistë të dhënë për Radio Evropa e Lirë, ligjeruesi amerikan vlerësoi se Burns i ka dhënë mesazhe të qarta kryeministrit, Albin Kurti, që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për destabilizim të rajonit.
Madje, Joseph ka thënë se shefi i CIA-s, ka gjasë të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktvitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon.
“Shikojeni fotografinë që është publikuar. Keni parë Burnsin të ulur pranë kryeministrit të Kosovës, AlbinKurti. Në të djathtë të Burnsit ka qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, duke marrë shënime. Unë mendoj se ajo që Burns i ka thënë Kurtit, është mesazhi që ka dhënë edhe ambasadori Hovenier për të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe për të mos destabilizuar rajonin. Si drejtor i CIA-s, Burns mund të ketë kërkuar edhe rritjen e ndërgjegjësimit për aktivitetet dhe interesimin e Rusisë në rajon”, ka potencuar Joseph.
Në vazhdim të intervistës, thuhet se Joseph ka pretenduar se Kurti mund t’i ketë bërë presion shefit të CIA-s për pozicionin e ShBA-së ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, përfshirë këtu sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
Përveç kësaj, Joseph ka vlerësuar që Burns është personi i duhur që duhet pyetur për çështjen e Banjskës, me ç’rast ka shpresuar që Kurti e ka shfrytëzuar këtë mundësi takimi me të.
“Burns është personi ideal për t’u pyetur në lidhje me Banjskën, çfarë ka ditur Vuçiq dhe cili ka qenë roli i tij. Ky mund të ketë qenë një moment ideal për ta ngritur këtë çështje. Nuk e di nëse Kurti e ka bërë këtë, por shefi i CIA-s është personi ideal. Unë besoj që edhe në Beograd, Burns ka pasur një takim të hapur me Vuçiqin, ku me terma të qartë ia ka bërë të ditur se ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Banjskë, e dimë se cili ka qenë roli juaj president Vuçiq dhe i dimë aktivitetet e figurave të tjera në Qeverinë tuaj. Pra, e dimë se çfarë ka bërë Qeveria juaj për të destabilizuar situatën dhe ne presim që t’i ndaloni ato veprime. Unë shpresoj që Burns ta ketë thënë këtë në Beograd, por, sigurisht, ato janë takime konfidenciale dhe nuk e di”, ka thënë tutje Joseph gjatë intervistës.
Ndërkaq, i pyetur se a ka mundësi që vizita e shefit të CIA-s, mund të ndryshojë diçka në raportet Kosovë-Serbi, Joseph tha se një gjë e tillë mund të ndodhë, por jo menjëherë.
“Ndoshta jo në mënyrë drastike menjëherë, por ka potencial. Sepse, nëse Kurti dhe Vuçiq e kuptojnë qartazi se Shtetet e Bashkuara e dinë – dhe normalisht e dinë sepse Burns është shef i inteligjencës – se cilat veprime e destabilizojnë situatën dhe se SHBA-ja nuk do t’i tolerojë ato, atëherë një gjë e tillë mund t’i largojë disa tundime nga tryeza dhe ndoshta ta ripërqendrojë vëmendjen te bashkëpunimi. Mendoj kështu potencialisht, por nuk shoh diçka të menjëhershme apo dramatike”, ka potencuar më tej ligjëruesi amerikan.
Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns e përmbylli me një vizitë dyditore në Kosovë një udhëtim të paparalajmëruar në rajon.
Pasi shkoi në Bosnjë e Hercegovinë e më pas në Serbi, Burns erdhi edhe në Kosovë, ku zhvilloi takime me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.
Vizita u konsiderua historike, ndërsa institucionet e sigurisë, inteligjencës dhe Qeveria e Kosovës u tha se janë të përkushtuara që ta avancojnë bashkëpunimin me CIA-n.