Analisti politik Shemsi Jashari, ka kritikuar qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj zhvillimeve politike dhe situatës në veri të Kosovës.
Jashari tha se, sipas tij, Kurti në procese të ndryshme politike ka dhënë shenja se më shumë është i fokusuar në interesin e tij politik sesa në interesin e shtetit.
“Zoti Kurti, për fat të keq, jo vetëm në këtë proces, në krejt proceset ka dhënë shenja, prova që nuk e ka hallin se qysh i bie shtetit, e ka hallin vetë, si duket”, deklaroi Jashari.
Ai tha se veriu i vendit është përdorur shpesh për të orientuar debatin publik, duke përmendur operacionet policore dhe zhvillimet rreth urës së Ibrit si raste që, sipas tij, kanë tërhequr vëmendjen.
“Për atë është përdorur veriu shpesh për me orientuar debatin rreth veriut. Kemi parë operacionet policore ku janë nxënë një pjesë e armëve që ekspozohen”, u shpreh ai.
Sipas Jasharit, veprime të tilla kanë ndodhur edhe në momente kur qeveria është përballur me kriza apo skandale në opinionin publik.
“Sa herë që ka qenë në krizë në pjesën publike, qoftë me një skandal korruptim, për me mbytë debatin rreth temave të rëndësishme ka ndodhur një operacion që ka marrë vëmendjen në veri. E njëjta ka ndodhur me urën, e njëjta do të ndodhë përsëri”, tha Jashari në emisionin “Click” të RTV21.






