12.9 C
New York
Monday, May 13, 2024

Buy now

Jasharaj: Nuk ka sinjale për ndërprerje të grevës

- Advertisement -

Greva në arsim po vazhdon edhe më tutje, por së fundmi në disa shkolla ka filluar procesi mësimor. Ndërkohë, në disa tjera është paralajmëruar se procesi mësimor mund të fillojë nesër. Megjithatë, SBASHK-u edhe më tutje është këmbëngulës në qëndrimin e vet se pa një reflektim nga ana e Qeverisë të mos ndalet greva e filluar qysh më 25 gusht.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka theksuar se fatkeqësisht nuk ka sinjale për t’i dhënë fund grevës, teksa edhe një herë ka fajësuar Qeverinë për mungesë dialogu.

“Me gjithë angazhimet tona, duke i lutur edhe figurat më të mëdha të vendit për të ndikuar në këtë proces, situata është e njëjtë. E kemi lutur Avokatin e Popullit që ai të jetë ndërmjetësues, por në takimet që kishim dje me të, doli se edhe angazhimi i tij nuk ka bërë që Qeveria të ndryshojë sadopak qëndrimet e veta dhe ka mbetur e barrikaduar në ato që ka thënë“, ka theksuar Jasharaj për RTK-në.

Ai ka thënë se anëtarësia e SBASHK-ut është e vendosur për vazhdim të grevës, përderisa qeveria nuk ndryshon qasjen, të cilën ai e ka vlerësuar të gabuar, teksa ka bërë thirrje që ajo të angazhohet që të arrihet një marrëveshje.

Sa i përket paralajmërimeve se nesër në disa shkolla do të nisë procesi mësimor, i pari i sindikalistëve të arsimit, ka thënë se kjo po bëhet si pasojë e presioneve nga ana e Qeverisë, teksa ka apeluar tek anëtarësia e tij që të qëndrojnë unik.

“Ne, jemi sindikatë demokratike dhe asnjëherë nuk kemi bërë presione dhe nuk bëjmë. Fatkeqësisht Qeveria në vend dialogut ka bërë dhe vazhdon të bëjë presione. Unë apeloj tek të gjithë grevistët që të kujtojnë grevat e kaluara kur kishim qeveri të tjera, kur kishim mes grevistëve të atillë që kishin votuar pikërisht për ato qeveri apo për ato kalicione që ishin, por ata nuk i janë ndarë kolegëve të vet. Mijëra e mijëra grevistë janë duke qëndruar unik karshi të gjitha këtyre presioneve të papara. Kjo është dëshmi se Qeveria nuk është e interesuar për dialog, por përmes individëve të caktuar synon ta thyejë grevën. Thyerja e grevës nuk është sukses i Qeverisë sepse pasojat do të jenë edhe në të ardhmen. Jam i sigurt se SBASHK-u ishte dhe mbetet unik”, është shprehur Jasharaj për RTK-në.

Sa i përket atyre që për nesër kanë bërë thirrje për t’iu kthyer procesit mësimor, Jasharaj ka thënë se ata që e kanë mendimin ndryshe duhet ta dinë se greva një ditë do të mbyllet, por se SBASHK-u po angazhohet për arritjen e kërkesave të tyre sindikale, prandaj i duhet uniteti.

“E di që ka presione, por këto presione që po i bën Qeveria nuk ndikojnë në zgjidhjen e situatës. Nëse vërtetë Qeveria është e interesuar që të mos ketë greva në arsim dhe sektorë tjerë, duhet të ndryshojë qasje dhe të ulet të bisedojë me ne, sepse mundësitë për marrëveshje janë“, ka nënvizuar Jasharaj.

I pyetur nëse greva do të vazhdojë edhe nesër, kreu i SBASHK-ut nuk ka dashur të japë përgjigje të prerë, pasi ka thënë se nuk dëshiron të nënkuptohet sikur ai po vendosë për gjithçka.

“Kur po e them këtë (greva vazhdon, v.j.) po transmetohet në mënyra të ndryshme dhe sikur unë po vendos. Ne, vazhdimisht kemi takime dhe sot do ta kemi një të tillë pasdite me kryetarët e niveleve komunale dhe të universiteteve dhe nga ai takim do të dalim me një komunikatë, duke e prezantuar në mënyrën më të denjë qëndrimin e pjesëmarrësve në këtë takim, e ata do të na i sjellin si çdo ditë tjetër edhe sot qëndrimet që i ka anëtarësia në grevë. Cilido qëndrim që ata e thonë në emër të anëtarësisë, ai do të jetë vendimtar. Ata janë të kategorik që pa lëvizje pozitive të Qeverisë nuk i pranojnë propozimet e thata dhe kështu e kemi edhe tani e tutje situatën”, ka përfunduar Jasharaj.

Greva në arsim dhe në disa sektor tjerë të sektorit publik është organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht, teksa kërkesat sindikale janë miratimi sa më i shpejt i Ligjit të Pagave, plotësim-ndryshimi i Ligjit mbi skemat pensionale dhe pagës, si dhe dhënia e nga 100 eurove për punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e Ligjit të Pagave.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit