Rreth 90 të burgosur palestinezë janë liruar nga Izraeli në këmbim të tri pengjeve izraelite që u liruan nga Hamasi, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me të cilën synohet që t’i jepet fund luftës 15-mujore.
Të burgosurit tashmë të liruar, shumica prej të cilëve u liruan në orët e hershme të së hënës nga burgu “Ofer” në Ramallan, në Bregun e pushtuar Perëndimor, u mirëpritën nga mijëra njerëz që po festonin duke valëvitur flamuj të Palestinës e të Hamasit, raporton gazeta “The Guardian”.
Prindër, vëllezër, motra e miq pritën me orë të tëra në të ftohtë për t’i përqafuarit më të dashurit e tyre pas zbatimit të një pjese të marrëveshjes së armëpushimit.
Në mesin e të liruarve ishte edhe 24-vjeçarja Shatha Jarabaa, e cila ishte arrestuar për një shkrim të publikuar në rrjete sociale, ku e kritikonte “brutalitetin” e fushatës izraelite në Gaza.
“Jam shumë e lumtur! Faleminderit Zotit, jam jashtë [e lirë]. Ata më trajtuan mua shumë keq në burg. Ishte e tmerrshme” – i tha ajo gazetës “The Guardian”.