Një dron rus ka goditur një tren pranë kufirit mes Ukrainës dhe Polonisë, pak pasi ish-kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë të sigurisë kishin kaluar nëpër të njëjtën linjë hekurudhore.
Sulmi ndodhi në stacionin Yahodyn, rreth dy kilometra nga kufiri me Poloninë, raporton BBC.
Droni goditi lokomotivën e një treni, ndërsa autoritetet ukrainase njoftuan se nuk pati viktima.
Të gjithë pasagjerët ishin evakuuar, ndërkaq kompania shtetërore ukrainase e hekurudhave, Ukrzaliznytsia, tha se urdhri për evakuim ishte dhënë vetëm rreth 15 minuta para sulmit.
Sipas kompanisë, treni me Boris Johnsonin dhe zyrtarë të tjerë evropianë kishte kaluar më herët nga e njëjta linjë.
Rusia konfirmoi se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore, por nuk dha detaje nëse treni ishte objektivi i sulmit.






