Trump thotë se do t’i heqë të gjitha tarifat për uiskin irlandez, ndërsa përfundon vizitën dyditore

- Advertisement -

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do t’i heqë të gjitha tarifat për uiskin irlandez në fund të vizitës së tij dyditore në Irlandë, ka raportuar BBC.

Ai e bëri këtë njoftim para se t’i dorëzonte trofeun e fituesit Shane Lowry-t, fituesit të turneut “Irish Open”, në resortin e golfit “Trump International” në Doonbeg, në qarkun Clare.

Uiski i prodhuar në Republikën e Irlandës i nënshtrohet tarifës standarde prej 15% që zbatohet për mallrat e BE-së që hyjnë në SHBA, ndërsa uiski i prodhuar në Irlandën Veriore ose diku tjetër në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka tarifa.

Ky njoftim erdhi pasi Trump rikonfirmoi mbështetjen e tij për një Irlandë të bashkuar dhe tha se bashkimi i Irlandës Veriore me Republikën e Irlandës ishte “një nga gjërat më të natyrshme të të gjitha kohërave”.

Ditën e dytë të vizitës së tij në Irlandë, ai e kaloi duke ndjekur ditën finale të turneut “Irish Open”.

Të shtunën, Trump ndodhej në Dublin, ku u takua me Taoiseach-un (Kryeministrin irlandez) Micheál Martin dhe me Presidenten irlandeze Catherine Connolly.

Duke iu drejtuar turmës para ceremonisë së dorëzimit të trofeut, Trump tha se kishte diskutuar për tarifat e uiskit me Martinin dhe me lojtarin e golfit, Lowry.

“Të gjithë më kanë rënë në qafë për këtë,” tha ai.

Të ngjashme

Të fundit