Udhëheqësit e tre vendeve pritet të nënshkruajnë në Cardiff një deklaratë të përbashkët për vetëvendosjen, ndërsa synojnë të shtojnë presionin ndaj qeverisë britanike.
Udhëheqësit e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut pritet të takohen të hënën në Cardiff për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët që kërkon të drejtën për vetëvendosje dhe zhvillimin e referendumeve për pavarësi, raporton The Telegraph.
Sipas gazetës, deklarata do të përfshijë disa fusha, mes tyre ekonominë, energjinë, Evropën, bashkëpunimin e brendshëm dhe vetëvendosjen.
Tre palët pritet gjithashtu të argumentojnë se duhet t’u jepet mundësia për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Sipas raportimit, Skocia dhe Uellsi do të synonin anëtarësimin si shtete të reja, ndërsa Irlanda e Veriut do të përfshihej si pjesë e Republikës së Irlandës.
Memorandumi pritet të përmbajë edhe angazhime për forcimin e marrëdhënieve me vendet evropiane, në përgatitje të përpjekjeve për pavarësi.
Burime të cituara nga The Telegraph thonë se deklarata synon të shtojë presionin ndaj kryeministrit britanik Andy Burnham, i cili më herët kishte deklaruar se një referendum për pavarësinë e Skocisë mund të zhvillohej nëse do të kishte mbështetje publike.
Megjithatë, të enjten Burnham i dërgoi një letër kreut të Partisë Kombëtare Skoceze dhe kryeministrit të Skocisë, John Swinney, ku këmbëngulte se një referendum për pavarësinë do të ishte jashtë diskutimit për momentin.
Sipas The Telegraph, Burnham argumentoi se “nuk ka konsensus për një referendum pavarësie në Skoci dhe as një bazë të qartë për të sugjeruar se shumica e njerëzve në Irlandën e Veriut aktualisht dëshirojnë të shkëputen nga Mbretëria e Bashkuar”.
Kryeministri britanik ka argumentuar gjithashtu se një referendum i tillë do të largonte vëmendjen nga nevoja për rritjen e ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe uljen e kostos së jetesës.






