Ismaili: Mentaliteti i bandave s’ka vend në Kosovë, pa rikthimin e rendit kushtetues s’mund të diskutohet për asgjë tjetër

- Advertisement -

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputeti Uran Ismaili ka deklaruar sot se Kosova po kalon nëpër një situatë të rëndë institucionale, pasi Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar edhe një javë pas përfundimit të afatit kushtetues.

Në konferencë për media, Ismaili tha se Albin Kurti, përmes kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, po e mban të bllokuar Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe po ua pamundëson deputetëve ushtrimin e mandatit.

Sipas Ismailit, moskonstituimi i Kuvendit nuk është vetëm çështje e deputetëve dhe institucioneve, por prek drejtpërdrejt qytetarët dhe problemet me të cilat ata përballen çdo ditë.

“Ndërkohë që Albin Kurti merret me kalkulime politike, qytetarët po e paguajnë çmimin. Kjo nuk është teori apo akuzë partiake. Dje lexuam lajme për mungesën e barnave të rëndësishme për pacientët me kancer në QKUK. Mungesa e një Kuvendi funksional i lë qytetarët në mëshirën e ministrave pa mandat dhe të një pushteti pa kontroll e llogaridhënie”, tha ai.

Ismaili përmendi edhe gjendjen në shëndetësi, energji dhe arsim, duke thënë se qytetarët po përballen me çmime të larta, shpenzime të mëdha dhe mungesë të reformave.

“Mijëra familje kosovare paguajnë çmime të larta për shërbime shëndetësore. Në energji, miliona euro nga xhepat e qytetarëve po përfundojnë te kompani të afërta me pushtetin. Në arsim nuk po shohim projekte serioze për përmirësim dhe digjitalizim. Kjo është Kosova reale e krizave shumëvjeçare të Albin Kurtit”, ka thënë Ismaili.

Ai ka shtuar se shumica e qytetarëve e shohin se këto kriza po e dobësojnë Kosovën, ndërsa, sipas tij, Albin Kurti vazhdon të sillet sikur gjithçka po funksionon normalisht.

“Tash kësaj i është shtuar edhe një krizë e re: shkelja e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe shpërfillja e Rregullores së Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive”, tha ai.

Duke iu referuar veprimeve të fundit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Ismaili tha se deputetët e kësaj partie kanë qenë dje për herë të tretë në sallën e Kuvendit, ndërsa përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë ardhur.

“Ne erdhëm. Ata nuk erdhën. Ne kërkuam Kuvend. Ata zgjodhën bllokadën. Ne kërkuam Kushtetutën. Ata po vazhdojnë me kalkulimin politik dhe partiak”, deklaroi Ismaili.

Ai bëri të ditur se Grupi Parlamentar i PDK-së i ka dërguar sërish kërkesë Avni Deharit që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive për nesër, më 16 gusht, nga ora 11:00.

“Ta rikthejmë rendin kushtetues në Kosovë. Ta thërrasin seancën. Ta propozojnë Kryetarin e Kuvendit dhe ta konstituojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të bëhet asnjë hap përpara duke ecur jashtë Kushtetutës”, tha ai.

Ismaili theksoi se Kosova nuk mund të mbetet pafundësisht peng i kalkulimeve politike të Albin Kurtit.

“Nuk do ta pranojmë. Nuk do ta normalizojmë. Dhe nuk do ta lejojmë. Prandaj, z. Kurti: eja në Kuvend. Thirre seancën. Mos ik dhe mos u fshih pas Avni Deharit. Konstituoje Kuvendin. Respektoje Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Ismaili.

Nënkryetari i PDK-së tha se kërkesa e kësaj partie është që Kosova të funksionojë si shtet ligjor dhe jo si shtet që i nënshtrohet vullnetit të pushtetit.

“Logjika sipas së cilës nuk respektohet ligji, por pushteti, është mentalitet i bandave. Ai mentalitet nuk ka vend në Kosovë dhe duhet të çrrënjoset. Nëse një pushtet e rrëzon Kushtetutën për interesin e vet, atëherë bie siguria juridike dhe askush nuk mund të ndihet më i mbrojtur”, tha ai.

Ismaili theksoi se PDK është kundër rrënimit të sistemit ligjor dhe instalimit të një mentaliteti që funksionon jashtë dhe kundër ligjit.

“Ne po e mbrojmë Kushtetutën sepse, kur bie akti më i lartë juridik i vendit për interesin e një individi apo të një grupi njerëzish, atëherë të gjithë mund të zgjohemi nesër në një shtet ku nuk jemi më të sigurt. Dhe atëherë mund të jetë vonë”, deklaroi ai.

Në fund, Ismaili tha se veprimet e PDK-së nuk lidhen me interesa partiake apo kërkesa për pushtet, por me mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të interesit të qytetarëve.

“Kjo nuk është betejë e PDK-së për PDK-në. Është betejë për ju, për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike. Kosova është e të gjithëve. Kushtetuta është e të gjithëve. Na takon të gjithëve ta mbrojmë. PDK është vendosur në vijën e parë të mbrojtjes së Republikës dhe rendit kushtetues”, përfundoi Ismaili.

Të ngjashme

Të fundit