Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë është intervistuar të enjten nga Departamenti i Krimeve Ekonomike ish-ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adriana Hoxhiq.
Hetimet ndërlidhen me pretendimet për punësime të paligjshme gjatë periudhës së qeverisjes lokale të komunës së Mitrovicës Veriore, në kohën kur Hoxhiq ishte nënkryetare e kësaj Komune deri në maj të vitit 2022.
Sipas tij, nuk ekziston asnjë provë e vetme që do ta vërtetonte përfshirjen e klientes së tij në veprën penale që ndërlidhet me keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.
Ai tha se klientja e tij është tërësisht e pafajshme dhe se i gjithë ky hetim ka të bëjë vetëm me spektakël politik, ndërsa potencoi faktin se zonja Hoxhiq është cak i sulmeve politike tash e një kohë të gjatë.
“Nuk ekziston asnjë provë e vetme përmes së cilës mund të formulohen eventualisht veprime të cilat do ta krijonin figurën e posaçme të veprës penale që ndërlidhen me keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Klientja ime është tërësisht e pafajshme, dhe njëkohësisht ajo është cak dhe shënjestër e sulmeve politike tash e një kohë të gjatë. I gjithë ky hetim ka të bëjë me spektakël politik dhe ne do të arrijmë të vërtetojmë pafajësinë e klientes time shumë shpejt”, ka thënë Damati.
KP mëson se hetimet janë komplekse dhe kanë filluar rreth dy vjet më parë ndaj disa ish zyrtarëve komunalë të Mitrovicës Veriore, një numër i të cilëve është intervistuar sot nga Departamenti i krimeve ekonomike , ndërsa intervistimi ndaj ish zyrtarëve tjerë do të vazhdojë edhe nesër.
Ndryshe, politikanja kosovare me përkatësi etnike boshnjake, njihet për angazhimin dhe kontributin e saj në krijimin e urave të komunikimit dhe mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, sidomos në Mitrovicë, gjatë viteve të ‘nxehta’ dhe me përplot tensione në periudhën e pasluftës