Ish-ministri i Tregtisë ia bën disa pyetje të rënda Armend Mujës

- Advertisement -

Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ia ka parashtruar disa pyetje të vështira ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Mujës, të premten.

Mulaj e ka kritikuar ministrin aktual të Bujqësisë për standarde të dyfishta dhe mungesën e nxjerrjes së një rregulloreje për standardizimin e produkteve me origjinë shtazore e bimore.

Në një shkrim në Facebook të premten, ish-ministri nga AKR-ja në Qeverinë Thaçi II, e pyeti Mujën edhe për pamundësinë e eksportimit të produkteve me origjinë shtazore nga Kosova në vendet e BE-së dhe tregjet e tjera.

Ai përmendi edhe çështjen e importit të zallit nga Serbia e Shqipëria, ndërsa gurthyesit vendorë ballafaqohet me probleme brenda vendit.

Të gjitha pyetjet e ish-ministrit Mulaj për ministrin në detyrë Armend Muja:

Ministër, pse që nga viti 2021 Kosova ende nuk ka rregullore për standardizimin e produkteve me origjinë shtazore dhe atyre me origjinë bimore? Kujt i ka konvenuar kjo gjendje?

Ministër, a është i akredituar laboratori i testimit në AUV? Nëse po, për cilët parametra dhe cilat metoda të analizës?

Ministër, i kujt është faji që bizneset tona që prodhojnë produkte me origjinë shtazore ende nuk e kanë të mundur eksportin në Bashkimin Evropian dhe tregje të tjera?

Ministër, pse vazhdojmë të importojmë zall nga Serbia dhe Shqipëria, ndërsa gurthyesve vendorë nuk u vazhdohen kontratat e qirasë?

Ministër, pse nuk po i nënshkruani kontratat për pronat e Agjencisë Pyjore të Kosovës për instalimin e paneleve solare, kur investitorët kanë gati pesë vjet që presin dhe sorollaten nëpër zyrat e shtetit e na importojmë rrymë?

Unë e dua prodhimin vendor para atij që vjen nga jashtë, por jam për kontroll të njëjtë, standarde të njëjta dhe zbatim të barabartë të ligjit për të gjithë.

Të ngjashme

Të fundit