Vizitën e Shefit të CIA-s në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, ish-ambasadori kosovar në Mal të Zi, Ylber Hysa e sheh në “tërheqje të veshit” të tre liderëve të këtyre vendeve.
“Sado që duket ironike se m‘u këta aktorë e detyruan Burnsin të vijë në Ballkan derisa po digjet bota, kurse në SHBA po mbahen zgjedhet dramatike presidenciale – tregon se pikërisht kjo treshe ishte ajo që e solli kreun e Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit, do të thoja për t’ua “tërhequr veshin,” – ka thënë ambasadori Hysa për kdp.mk.
“Vizita e shefit të CIA-s në Ballkan vetvetiu përbën lajm, kurdoherë. Kësaj here kjo lidhet edhe me ngjarjet globale, sidomos ato rreth invazionit rus në Ukkraine apo luftimeve në Gaza, por edhe me mundësinë e përfshirjes së Iranit në konflikt. Prandaj, koneksti në të cilin u bë kjo vizitë e Drejtorit të CIA-s, kur ai gjen kohë të vizitojë Ballkanin – vetvetiu flet për rëndësinë e saj”, tha Hysa.