Interi ka shënuar fitoren më të thellë të sezonit 2024/25, duke e mposhtur 5:0 Veronën në udhëtim, kështu duke çuar në 11 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje, teksa kanë rrëmbyer kreun e tabelës në Serie A.
Zikaltrit po vinin nga një barazim 1:1 me Napolin, në derbin e skuadrave të kreut të tabelës, teksa kanë hyrë në një formë fantastike që nga humbja ndaj Milanit në Derbi della Madonina.
Interi i Simone Inzaghit e dominoi tërësisht takimin ndaj Veronës sot, duke shënuar pesë golat e takimit në pjesën e parë.
Serinë e golave e hapi Joaquin Correa, i cili shënoi për 1:0 pas një aksioni shumë të bukur nga zikaltrit.
Marcus Thuram e dyfishoi epërsinë në minutën e 17-të, me Correan që kësaj radhe asistoi.
Ylli francez e shënoi golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje vetëm pesë minuta më vonë, kur u shërbye nga Bastoni, për rezultatin 3:0.
Kristjan Asllani u përfshi në golin e radhës të Interit, duke asistuar për Stefan de Vrij, me qendërmbrojtësin holandez që shënoi në stilin e sulmuesit për 4:0 në minutën e 31-të.
Yann Bisseck e fundosi Veronën në minutën e 41-të, duke realizuar për 5:0 pas asistimit të Correas.
Në pjesën e dytë, përkundër disa rasteve të mira, nuk u shënua asnjë gol, me lojën që u kontrollua tërësisht nga kampioni në fuqi.
Interi përfundimisht fitoi 5:0, kështu duke rrëmbyer kreun e tabelës në Serie A, ndonëse kjo mund të jetë vetëm përkohësisht, deri kur Napoli të takohet me Romën.