Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, e ka vlerësuar paraqitjen e Kosovës pas barazimit 1:1 në “Fadil Vokrri”, duke thënë se ndeshja ishte e vështirë, ashtu siç e kishte pritur.
“Ka qenë një ndeshje e vështirë, ashtu siç e kemi pritur. Kosova ka një ekip të mirë, ndërsa kushtet e fushës nuk ishin ideale për të dyja skuadrat. Në përgjithësi, kemi mbrojtur mirë, por në disa momente nuk e kemi bërë si duhet, sidomos në situatat një kundër një dhe në pasimet e shpejta. Goli i Kosovës ishte shumë mirë i ndërtuar, ndërsa ne në atë aksion kemi qëndruar shumë pasivë”, tha Rangnick për Klan Kosova.
Sa i përket fushës, trajneri austriak tha se ajo ndikoi te të dyja skuadrat, por nuk ishte arsyeja kryesore pse Austria nuk fitoi.
“Sigurisht që nuk ishte vetëm terreni. Të dyja skuadrat kanë vuajtur nga kushtet e fushës. Edhe Franco Foda më tha se nuk i pëlqen të luhet në një fushë të tillë. Kur shoh lojtarë si Fisnik Asllani apo Muriqi, nuk mund ta imagjinoj që dikujt që e do futbollin i pëlqen të luajë në një terren kaq të pabarabartë. Por, sigurisht, kjo nuk ishte arsyeja kryesore”, u shpreh Rangnick.






