Janë termocentralet ato me të cilat Kosova shpreson që të përmbushë shumicën e kërkesës për energji në stinën e dimrit.
Por, nga praktika në pikun e kërkesës për energji, ato edhe kanë ditë të dalin nga funksioni.
Megjithatë tek të njëjtat janë bërë remontet e nevojshme, dhe gjitha përgatitjet që ajo të mos ndodh thonë nga Korporata Energjetike e Kosovës.
“Janë bë remontet, revizionet në fakt të 3 njësive të Kosovës A, revizionet e nevojshme, si dhe ka përfunduar remonti I rregullt u njësisë B1, si dhe është në përfundim remonti në njësinë B2, kjo edhe ka ofruar një siguri të operimit, që do të thotë se nuk presim të kemi ndonjë problem, gjatë sezonit dimërorë”, ka theksuar Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK.
Bucolli shton se këto termocentrale janë të vjetra, dhe mund të ketë ndalesa të paplanifikuar, por nga praktika e mëhershme nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
Pjesa tjetër e nevojshme, do mbulohet nga importi, për të cilën ZRrE thonë se kanë bërë planifikimet e duhura, ani pse ditë më parë thanë që mund të kenë vështirësi më furnizim.
“Ndërmarrjet energjetike në vend kanë kryer ose janë ne proces te përfundimit të kryerjes së mirëmbajtjes së rregullt të infrastrukturës energjetike. Për muajt e dimrit, është planifikuar import i mjaftueshëm për të mbuluar mungesën e prodhimit sidomos në kohën e pikut kur kërkesa për energji rritet për shkak të ngrohjes”.
Njohësi i fushës së energjetikës, Lulzim Syla, thotë se siguri nuk mund të ketë pasi që janë disa faktorë që ndikojnë në këtë duke përfshirë edhe ata klimatik dhe infrastrukturën e vjetër.
“Sigurisht edhe ka pasur mundësi edhe ende ka mundësi që çdoherë për blerje të energjisë elektrike për kapacitetet që nuk mund t’i prodhoj, çdo moment mund të bëhen analiza të thukta, të sakta të parashikimit të kërkesës për energji, që vendi të mos mbetët pa energji elektrike”, ka theksuar Lulzim Syla, Njohës i fushës së energjetikës.
Kosova kishte probleme të theksuara viteve paraprake për furnizim me energji elektrike sidomos gjatë krizës së vitit 2021-2022.