Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka pritur në takim përfaqësuesit e FIFA-s, Arnar Vidarsson dhe Tomas Danilevicius, në prag të inaugurimit të FIFA Academy në Kosovë, shkruan Scanner.
Ceremonia e inaugurimit do të mbahet sot, në orën 16:30, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Sipas Ademit, kjo akademi përbën një moment historik për futbollin kosovar, pasi është e para e këtij lloji në rajon, e treta në Evropë dhe njëra nga vetëm 15 akademitë e krijuara nga FIFA në botë.
Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e akademisë në zhvillimin e futbollistëve të rinj dhe krijimin e mundësive të reja për talentet kosovare, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ademi e ka vlerësuar këtë projekt si dëshmi të besimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes FIFA-s dhe FFK-së në zhvillimin e futbollit në Kosovë.
Postimi i plotë:
Në prag të ceremonisë së inaugurimit të FIFA Academy në Kosovë, e cila do të mbahet sot, me fillim nga ora 16:30, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, pata kënaqësinë të pres në takim përfaqësuesit e FIFA-s, Arnar Vidarsson, Udhëheqës i Programit për Zhvillimin e Talenteve (TDS) të FIFA-s në Kosovë dhe Tomas Danilevicius, Konsulent Teknik Rajonal i FIFA-s.
Gjatë takimit diskutuam për rëndësinë e këtij projekti në zhvillimin e futbollit të të rinjve në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet FFK-së dhe FIFA-s në krijimin e mundësive të reja për talentet tona.
Inaugurimi i FIFA Academy është një moment i veçantë dhe historik për futbollin tonë. Akademia në Kosovë është e para e këtij lloji në rajon, e treta në Evropë dhe njëra prej vetëm 15 akademive të krijuara nga FIFA në mbarë botën.
Ky fakt dëshmon besimin e FIFA-s në punën dhe vizionin tonë, por njëkohësisht na jep përgjegjësi edhe më të madhe për t’u krijuar gjeneratave të reja kushtet dhe mundësitë e nevojshme për ta zhvilluar talentin e tyre sipas standardeve më të avancuara ndërkombëtare.
Mirënjohës FIFA-s për besimin, partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë.
#mefutbollinpërkosoven
⚽🇽🇰






