Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka theksuar se nuk ka informata për një rrugë në qendër të qytetit, që kontrollohet nga fajdexhinjtë dhe grupet e narkotikëve.
Profesori i Kriminalistikës, Mensut Ademi, ngriti shqetësimin se një rrugë në qendër të Vushtrrisë, aty pranë ku ndodhi vrasja e 19-vjeçarit, është nën kontrollin e grupeve kriminale dhe se institucionet ishin paralajmëruar vazhdimisht për këtë problem.
Idrizi ka theksuar se vrasja e fundit nuk ka ndodhur në atë zonë dhe se ai nuk ka informata për aktivitete të tilla kriminale në atë lagje.
“Vrasja nuk ka ndodhur në atë rrugë ku ka pretenduar profesori, ka ndodhur në një lagje tjetër. Sa i përket atyre, organet e rendit duhet të kenë informata më të sakta. Unë si kryetar i komunës nuk i kam ato informata që në atë lagje shiten substanca narkotike apo jepen para me fajde”, ka deklaruar Idrizi.
Avokati Tomë Gashi, duke komentuar deklaratën e Idrizit, ka thënë se nëse ai do të pranonte se ka dijeni për një lagje të tillë, Policia do ta thërriste menjëherë për të dhënë sqarime.
“Nëse po e dika se cila lagje, shumë keq, edhe që po ndodhka”, ka theksuar Gashi.