Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha ka folur për iniciativën që Mali i Zi ta largojë njohjen e Kosovës si shtet.
Hoxha tha se këto nisma janë periferike dhe me mbështetje shumë të kufizuar dhe i takojnë një kohe tjetër politike.
“Nisma të tilla, edhe pse kanë qenë periferike dhe me mbështetje shumë të kufizuar, u bënë gjithsesi jehonë politikave të një kohe tjetër, të një të kaluare të hidhur, dhe të qasjeve, veprimeve që prodhuan, siç e dimë, aq shumë mosbesim, ndarje, tensione, pasoja të njohura e të paharruara, dramatike për popujt e rajonit tonë dhe në mënyrë të veçantë për çmimin e lartë që ka paguar Kosova nga këto politika. Kushdo që ende nuk e ka kuptuar që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm politik, juridik dhe ndërkombëtar, jeton në një kohë tjetër, sheh ëndrra me sy hapur dhe do t’i quaja thjesht somnambulë politikë”, tha Hoxha.
Ai tha se Kosova është realitet i pathyeshëm dhe se institucionet e Malit të Zi nuk do të ndikohen nga nismat e këtilla.
“Republika e Kosovës përbën një realitet të pathyeshëm, siç e theksova më parë, për paqen, stabilitetin dhe pajtimin në rajon, për, ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës dhe fqinjësisë së mirë mes popujve, aq e nevojshme në rajonin tonë ku kemi akoma punë për të bërë. Kështu që çdo ide, nismë apo përpjekje për të vënë në dyshim këtë realitet, përveçse jorealist, shkon në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, me gjithë atë që ne kemi injektuar, me gjithë atë që ka injektuar edhe Kosova, edhe Shqipëria, edhe Bashkimi Evropian, dhe të tërë aleatët dhe partnerët tanë, dhe absolutisht kjo nuk do të tolerohet. Rajoni ynë ka më shumë nevojë për dialog, për besim, për, ë, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe jo rikthim në narrativa që i përkasin një kohe tjetër dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me Evropën e sotme dhe me të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Ne duhet të nxjerrim mësime nga e kaluara dhe jo ta përsërisim të kaluarën. Dhe siç e thashë edhe më parë, ë, ato janë nisma periferike, por gjithsesi nuk mund të neglizhohen dhe nuk do t’i neglizhojmë. Unë kam biseduar me autoritetet e Malit të Zi dhe më kanë siguruar që absolutisht, në asnjë mënyrë, qëndrimi i Malit të Zi si një vend fqinj, si një vend që e ka njohur Kosovën dhe si një vend që dëshiron marrëdhënie të mira me Kosovën, nuk do të ndikohet nga thirrje të tilla. Në vend të thirrjeve për mohim, rajoni, po e përsëris edhe njëherë, ka nevojë të ndërtojë ura, jo barriera, të forcojmë paqen dhe jo tensionet, që mbështesin dialogun dhe jo ndasitë.”, tha Hoxha para mediave. /EO/






