Ekonomia e Kurtit: Stagnim i rritjes ekonomike dhe inflacioni më i lartë në rajon

- Advertisement -

Teksa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdon ta paketojë ekonominë si ‘histori suksesi’ nëpër tubime elektorale, Kosova mbetet në skajin e varfërisë evropiane: e dyta nga fundi në renditjen e BPV-së për banor sipas paritetit të fuqisë blerëse, me rreth 20,400 dollarë për kokë banori.

Në çdo krahasim me secilin vend në Evropë, Kosova e nis nga fundi i tabelës, si një nga ekonomitë me të ardhurat më të ulëta për banor në kontinentin e rreth 740 milionë banorëve.

Rreth 33.7 për qind e popullsisë mbetet nën pragun krahasues prej 8.30 dollarësh në ditë. Pjesëmarrja në fuqinë punëtore është vetëm 43.2 për qind, më e ulëta ndër gjashtë vendet e rajonit. Gjendja është veçanërisht dekurajuese te gratë, ku pjesëmarrja në tregun e punës mbetet nën 20 për qind, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta në Evropë.

Iluzioni nis pikërisht te mënyra se si Kurti insiston t’i lexojë përqindjet e rritjes. Rritja ekonomike prej 3.6 për qind në vitin 2025 erdhi pas tre viteve me rritje mesatare mbi 4 për qind dhe u shoqërua me dobësim të konsumit privat, rritje të importeve dhe përshpejtim të inflacionit.

Kjo shifër jo vetëm që mbeti nën projeksionet e institucioneve ndërkombëtare (Banka Botërore kishte projektuar 3.8 për qind, ndërsa vetë FMN-ja rreth 4.0 për qind), por e rendit vitin 2025 ndër performancat më të dobëta të dhjetëvjeçarit. Në këtë periudhë, vetëm viti 2018, me rritje prej 3.4 për qind, paraqitet më keq, nëse përjashtojmë vitin pandemik 2020.

Krahasimi me vendet e Ballkanit Perëndimor na del po aq i dhimbshëm.

Përveç se rritja reale ra në 3.6 për qind gjatë vitit 2025 – nën pritshmëritë e FMN-së dhe Bankës Botërore – ajo mbeti larg pretendimit për “lidership rajonal”. Në krahasim me fqinjët, struktura ekonomike e Kosovës vazhdon të mbetet thellësisht e cenueshme.

Eksportet përbëjnë vetëm 8.3 për qind të BPV-së, përballë 36 për qind në Serbi dhe 41 për qind në Maqedoninë e Veriut. Edhe Investimet e Huaja Direkte, me të cilat Kurti trumpeton vazhdimisht sukses, mbeten të përqendruara kryesisht te patundshmëritë dhe shërbimet, e jo te prodhimi apo industria eksportuese.

Megjithatë, goditja më e madhe për xhepin e kosovarëve aktualisht mbetet inflacioni, i cili ka zhvlerësuar çdo arnim politik të pushtetit muajve të fundit, përfshirë edhe të ashtuquajturën “Pako për Përballje me Inflacionin”.

Ndërkohë që vendet fqinje po lëvizin nën gjysmën e kësaj barre inflacioniste, Kosova ka filluar të shkëputet rrezikshëm nga trendet stabilizuese të eurozonës.

Të dhënat e katër muajve të parë të vitit 2026 tregojnë se inflacioni në Kosovë ishte vazhdimisht më i lartë se në Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe në BE, në disa raste madje deri në dyfish.

Në janar, inflacioni vjetor në Kosovë ishte 5.8%, ndërsa inflacioni mujor 1.2%. Në shkurt, norma vjetore u rrit në 6.0%, me inflacion mujor 0.6%. Në mars, rritja u përshpejtua në 6.7% vjetore dhe 1.5% mujore. Në prill, inflacioni arriti në plot 7.5% vjetore dhe 1.1% mujore.

Brenda vetëm katër muajsh, inflacioni vjetor në Kosovë u rrit me 1.7 pikë përqindjeje, nga 5.8% në 7.5%. Nëse konsiderohen së bashku normat mujore të janarit, shkurtit, marsit dhe prillit, çmimet u rritën me rreth 4.5% vetëm nga dhjetori 2025 deri në prill 2026. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit