Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, tha se ishte “thellësisht i emocionuar” gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Kosovë, ku u takua me homologun Glauk Konjufca.
Hoxha theksoi se Kosova mbetet “prioritet absolut” i politikës së jashtme shqiptare.
“Çdo dhimbje e Kosovës ndjehet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri,” deklaroi ai.
Kryediplomati shqiptar paralajmëroi gjithashtu se Shqipëria nuk do të tolerojë asnjëherë cenimin e sigurisë së institucioneve të Kosovës.
“Kam ardhur këtu për të transmetuar qartë atë që ka thënë Kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë,” tha Hoxha.






