Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësim mbi deklaratën e Kuvendit të ashtuquajtur “gjithëserb”, në të cilën pretendohet se “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë”.
“Ne shprehim shqetësimin tonë për një deklaratë të një Kuvendi panserb që thotë se Kosova është në njëfar mënyre e kam harruar shprehjen që kanë përdorur më duket ‘pjesë e pandarë e Serbisë’”, tha ai.
Ai theksoi se Pavarësia e Kosovës nuk rinegociohet, por duhet të pranohet.
“Mund të them vetëm këtë se ky nuk është qëndrimi i vendit tim apo i partnerëve. E kemi njohur Kosovën, si vend të pavarur sovran, demokratik dhe kjo s’është për debat, e as nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet dhe të kremtohet. Dhe duhet të jetë pjesë e suksesit të rajonit bashkërisht. Dhe përkundër atyre shprehjeve revanshiste, asgjë nuk do të bëhet,” deklaroi Hovenier.