Në një takim me gazetarët, Hovenier ka shprehur zhgënjimin e tij duke potencuar se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtare dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Policia e Kosovës në një komunikatë mbi aksionin e zhvilluar të hënën në Veri të vendit, ku u mbyllën gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, njoftoi se është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave, përkatësisht rreth 1 milion e 600 mijë euro dhe 74 milionë e 700 mijë dinarë në funksion të “vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë” në këtë zonë.
Për aksionin në fjalë të Policisë së Kosovës, të martën, ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
DASH-i i bëri thirrje Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). E veprimi i fundit i autoriteteve kosovare, në bazë të deklaratës së DASH-it, minon perceptimet amerikane për angazhimin mirëbesues të Kosovës në procesin e dialogut.
“Ai minon perceptimin se Kosova vepron me mirëbesim për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, theksoi DASH-i.
Disa orë më vonë, në të njëjtën frymë, do të vinte edhe reagimi nga Britania e Madhe.
Përmes ambasadës së tyre në Prishtinë, është thënë se janë të “shqetësuar” për mbylljen gjashtë filialeve të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë, derisa kanë vlerësuar se “veprimet e pakoordinuara” mund t’i “përshkallëzojnë tensionet” ekzistuese.
“Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë”, theksoi ambasada britanike, derisa kërkoi nga Kosova që të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë-Serbi.
“Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, shtoi ambasada britanike.
Në shkurt hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e vendit.
Ndërkohë Serbia ngriti degë të improvizuara të kësaj banke, të destinuara për serbët nga Kosova, në afërsi të katër pikave kufitare muajin e kaluar.