Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se ka d vite që ka ngritur çështjen e rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, përfshirë këtu plehrat, farërat, pesticidet dhe sigurisht derivatet.
Hoti, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Rritja e çmimeve ka qenë shumë më e lartë se trendi i zakonshëm afatgjatë i rritjes së çmimeve në përgjithësi në kuadër të ekonomisë.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për të mbrojtur bujqit ka qenë dhe mbetet indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të çmimeve të inputeve bujqësore.
Postimi i tij i plotë:
Ka dy vite që e kam ngritur çështjen e rritjes së çmimeve të inputeve bujqësore, përfshirë këtu plehrat, farërat, pesticidet dhe sigurisht derivatet. Rritja e çmimeve ka qenë shumë më e lartë se trendi i zakonshëm afatgjatë i rritjes së çmimeve në përgjithësi në kuadër të ekonomisë.
Siç kam propozuar në vazhdimësi, e vetmja mënyrë për të mbrojtur bujqit ka qenë dhe mbetet indeksimi i subvencioneve sipas normës së inflacionit të çmimeve të inputeve bujqësore. Konkretisht, subvencionet për kulturat bujqësore duhet të rriten në përputhje me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore.
Vetëm kështu mbrohet bujku dhe prodhimi vendor. Përndryshe, do të shohim më shumë ara djerrinë dhe më pak prodhim vendor. Në markete do të mbushen raftet me produkte nga importi.






