Hoti: “Bllokimi i institucioneve ka një adresë – LVV dhe Kurti”

- Advertisement -

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, thotë se, me përfundimin e muajit gusht, 120 deputetë do të marrin rroga pa punuar asgjë.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti u shpreh se rezultati zgjedhor i 7 qershorit është i qartë, sakaq partia e parë e ka mundësinë të konstituojë kuvendin dhe të formojë qeverinë.

“Bllokimi i funksionimit të institucioneve ka një adresë: Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti dhe të gjithë ata, që në çfarëdo forme, po e ndihmojnë këtë bllokim të funksionimit të dy institucioneve të larta të shtetit”, thotë Hoti.

Ai tregon se punë të rëndësishme do të mund të kryheshin në kuvend, nëse do të kishte qeveri funksionale. Mes të tjerash, ai përmend rishikimin e buxhetit, ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë.

Ky është postimi i plotë i tij:

Për disa ditë përmbyllet muaji gusht. 120 deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës i pritet t’i marrin rrogat e tyre pa punuar absolutisht asgjë.

Rezultati i zgjedhjeve të qershorit është i qartë: partia e parë, së bashku me një pjesë të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, e ka mundësinë ta konstituojë kuvendin dhe ta formojë qeverinë.

Pas këtyre veprimeve, do të vazhdonin negociatat mes partive politike për zgjedhjen e presidentit, brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh.

Në ndërkohë, javët e gushtit dhe muaji shtator do të shfrytëzoheshin për punë konkrete dhe urgjente:

* rishikimin e buxhetit të këtij viti, i cili është dëmtuar dhe është bërë katrahurë me vendime arbitrare të Qeverisë në detyrë;

* ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të mos humben fondet, në veçanti fondet e BE-së në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor;

* mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë nga opozita, në veçanti shqyrtimi urgjent i raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat raporte nuk janë shqyrtuar as për vitin 2024.

Bllokimi i funksionimit të institucioneve ka një adresë: Lëvizja Vetëvendosje dhe Kurti dhe të gjithë ata, që në çfarëdo forme, po e ndihmojnë këtë bllokim të funksionimit të dy institucioneve të larta të shtetit.

Të ngjashme

Të fundit