Në Kupën e Botës 2026, kapiteni i Argjentinës e bëri të njëjtin gjest pas het-trikut ndaj Algjerisë, dygolëshit kundër Austrisë dhe golit të realizuar ndaj Jordanisë.

Për shumë tifozë ky është një festim i zakonshëm, por në të vërtetë ai fsheh një histori shumë emocionale.
Messi ia dedikon pothuajse çdo gol dhe çdo sukses gjyshes së tij, Celia Olivera Cuccittini, gruas që besoi e para tek ai dhe që i hapi rrugën drejt futbollit.
Gruaja që ndryshoi përgjithmonë fatin e Messit
Historia kthehet në vitin 1992, Messi ishte vetëm pesë vjeç kur shkoi me gjyshen e tij për të parë ndeshjen e vëllait të madh, Matias, te skuadra Grandoli.
Trajneri Salvador Ricardo Aparicio kishte nevojë për edhe një lojtar për të plotësuar ekipin në një ndeshje 7 kundër 7. Pikërisht atëherë Celia i kërkoi trajnerit të aktivizonte Leon.

“Fute të luajë”, i tha ajo ndërsa trajneri hezitoi, duke argumentuar se djali ishte shumë i vogël dhe mund të lëndohej, por gjyshja nuk u dorëzua.
“Thjesht fute në lojë”, insistoi ajo.
Pas disa minutash diskutimi, trajneri pranoi, ai e vendosi Messin në krahun e djathtë, pranë tribunës ku ndodhej gjyshja, në mënyrë që ta nxirrte menjëherë nëse frikësohej ose fillonte të qante.
Sipas bashkëlojtarëve të asaj kohe, sapo Messi preku topin, të gjithë mbetën të mahnitur.
Ai luante kundër djemve më të mëdhenj se vetja, por dukej sikur kishte vite që ishte pjesë e ekipit. Në debutim shënoi dy gola dhe që nga ajo ditë nuk mungoi më në asnjë ndeshje të Grandolit.
Vetë Messi e kujton atë moment me shumë emocion.

“Kur dola në fushë dhe tregova çfarë mund të bëja, gjyshja iu drejtua trajnerit dhe i tha: ‘Blijini këpucë futbolli. Javën tjetër do ta sjell në stërvitje.’ Kështu filloi gjithçka. Ishte një periudhë e mrekullueshme”, ka rrëfyer ylli argjentinas për MundoDeportivo.
Tifozja e tij më e madhe
Celia ishte shumë më tepër sesa një gjyshe për Leon, ajo e shoqëronte në çdo stërvitje dhe ndeshje, duke ecur me të shumë blloqe rrugësh drejt fushës së Grandolit.
Messi ka treguar se ajo jetonte për nipërit e saj dhe nuk mungonte kurrë në tribunë për ta mbështetur.

“Ishte e jashtëzakonshme. Jetonte për ne. Na plotësonte çdo dëshirë dhe ishte tifozja ime e parë. Ende i kujtoj britmat e saj nga tribuna”, ka thënë ai.
Gjatë çdo ndeshjeje, Celia bërtiste vazhdimisht: “Jepjani topin Leos! Pasojani të voglit, ai do të shënojë”.
Temperamenti i saj ishte po aq i fortë sa dashuria për nipin. Në një derbi mes Grandolit dhe Allice, ajo madje goditi me një shishe një tifoz kundërshtar gjatë një debati në tribunë, një episod që është përfshirë edhe në biografinë e Messit nga gazetari Guillem Balague.

Humbja që e shënoi përgjithmonë
Pak vite më vonë, Celia u diagnostikua me sëmundjen e Alzheimerit. Gjendja e saj u përkeqësua gradualisht dhe në maj të vitit 1998, pak para se Messi të mbushte 11 vjeç, ajo ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare.
Vdekja e saj ishte një goditje e rëndë për Messin, por ai nuk e harroi kurrë premtimin dhe besimin që ajo kishte tek ai.
Pse Messi feston gjithmonë duke parë nga qielli?
Që nga fillimi i karrierës së tij profesionale, Messi pothuajse çdo gol e feston duke ngritur dy gishtat drejt qiellit.

Ky është një dedikim për gjyshen e tij, gruan që besoi tek ai kur askush tjetër nuk e shihte si një futbollist të madh.
“Ia dedikoj asaj të gjithë golat dhe fitoret e mia. Ajo ishte personi që më futi në futboll, por nuk arriti kurrë të shihte se deri ku mbërrita. Do të doja shumë të ishte gjallë për të parë gjithçka që kam arritur, por u largua shumë herët”, ka deklaruar Messi.
Dy vite pas vdekjes së Celias, Messi firmosi kontratën e famshme me Barcelonën mbi një pecetë letre. Më pas erdhën trofetë, titujt në Ligën e Kampionëve, tetë Topat e Artë, triumfet me Argjentinën dhe kurorëzimi si kampion bote.

Megjithatë, për Messin, çdo sukses vazhdon t’i përkasë një personi, gjyshes së tij Celia, gruas pa të cilën bota mund të mos e kishte njohur kurrë një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.






