Ambasadori i SHBA në Beograd në një deklaratë për Radiotelevizionin e Serbisë ka thënë se është qendrim amerikan se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të bëhet.
“Dua të them, ne mbajtëm një qëndrim të ashpër. Ne e kemi bërë të qartë se kjo është vonuar prej kohësh. Në fund të fundit, Asociacioni i Komunave Serbe ishte diçka për të cilën ishte rënë dakord rreth 11 vjet më parë”, ka thënë Hill.
Diplomati amerikan ka theksuar se ky është edhe qëndrim i SHBA’së dhe BE’së, duke e përmendur në këtë kontekst një deklaratë të Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell.
“Një Asociacion i Komunave Serbe është i domosdoshëm dhe do të zgjidhte shumë nga problemet me të cilat përballemi. Për shembull, e gjithë çështja për pensionistët, si të merren fondet për pensionistët, si të zgjidhet çështja e dinarit, si të menaxhohet arsimi, gjëra të tilla. E gjithë kjo do të zgjidhej me Asociacionin e Komunave Serbe” ka thënë ai.
Tutje, Hill ka konfirmuar se SHBA qëndron prapa deklaratave të Gabriel Escobar muaj më parë se Asociacioni do të bëhet me ose pa Kurtin.
“Mendoj se në një moment i dërguari ynë special, Gabe Escobar, në lidhje me Asociacionin dhe zotin Kurti, tha se do ta bëjmë me ose pa z.Kurti. Këto janë fjalë të forta dhe mendoj se SHBA-të qëndruan pas tyre” ka thënë Hill.
“Këto janë negociata. Ju duhet t’i zgjidhni gjërat. Nuk është e lehtë. Por unë mendoj se ne jemi shumë të përkushtuar për këtë dhe ne jemi të vendosur e të përkushtuar. Dhe jam i sigurt se në një moment do ta bëjmë këtë” ka shtuar ambasadori.
“Kjo duhet bërë. Populli serb që jeton në Kosovë duhet të dijë se cila është e ardhmja e tyre, ata duhet të dinë se cila është e ardhmja e fëmijëve të tyre, kështu që ne jemi absolutisht të përkushtuar për këtë.
Ne ishim absolutisht të qartë jo vetëm këtu në Beograd, por edhe në Prishtinë se duhet bërë”, ka përfunduar Hill.