Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar sot bashkëluftëtarin e tij, Isni Kilaj, pas shpalljes së pafajësisë së tij në Hagë, raporton Scanner.
Përmes një postimi, Limaj ka thënë se Kilaj, sikurse shumë bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, është përballur për një kohë të gjatë me një proces të vështirë, duke përmendur edhe pasojat për familjen e tij.
Ai ka përgëzuar Kilajn për qëndresën, ndërsa ka theksuar se angazhimi për drejtësi dhe kthimin e bashkëluftëtarëve të tjerë duhet të vazhdojë.
Limaj ka bërë thirrje që, përmes mjeteve demokratike dhe juridike, në shkallën e apelit të vërtetohet pafajësia e katër drejtuesve të UÇK-së dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë që po përballen me proceset në Hagë.
Postimi i plotë:
Sot, së bashku me bashkëpunëtorë, vizitova bashkëluftëtarin tim, Isni Kilaj.
Isniu, sikurse shumë bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, për një kohë të gjatë u përball me një proces të padrejtë në Hagë, duke kaluar një periudhë të vështirë për të dhe familjen e tij. Sot, pas shpalljes së pafajësisë, pata kënaqësinë ta takoj dhe ta përgëzoj për qëndresën e tij.
Këto raste na obligojnë të vazhdojmë pa u ndalur angazhimin për drejtësi dhe për kthimin e të gjithë bashkëluftëtarëve tanë.
Duhet të punojmë me çdo mjet demokratik dhe juridik që, në shkallën e apelit, të vërtetohet pafajësia e katër drejtuesve të UÇK-së dhe e bashkëluftëtarëve të tjerë që po përballen me këto procese, në mënyrë që të gjithë të kthehen të pafajshëm në Kosovë.
F. L.






