Organizatori i protestave në kuadër të iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka kërkuar nga kryeministri që ligji për Dhomat e Specializuara të Hagës të procedohet në Kuvend, duke kritikuar, siç tha ai, vonesat e Qeverisë për këtë çështje.
Në fjalimin e mbajtur në natën e pesëmbëdhjetë të protestave, Haziri ka shprehur pakënaqësi me mënyrën se si Qeveria po e trajton çështjen e UÇK-së, duke thënë se institucionet duhet të tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj historisë dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.
Ai ka theksuar se protesta nuk lidhet vetëm me ata që kanë qenë pjesë e luftës, por edhe me gjeneratat e reja që, sipas tij, e konsiderojnë UÇK-në pjesë të identitetit dhe historisë së tyre.
“Shikojeni këtë shesh! Këtu sonte ka mijëra djem e vajza që kanë lindur pas vitit 1999, që nuk e kanë dëgjuar kurrë krismën e pushkës, por që u vlon gjaku dhe e kanë UÇK-në të gdhendur në zemër e në vetëdije! Këta e dinë çmimin e lirisë dhe i dalin zot asaj çdo ditë! Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse prej pesëmbëdhjetë netësh nga ky shesh dëgjohet e njëjta thirrje: Jo në emrin tim!”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka kritikuar deklaratën e kryeministrit lidhur me përgjigjen ndaj iniciativës për ligjin, duke thënë se kanë kaluar 15 ditë nga aktgjykimi i Dhomave të Specializuara dhe shtatë ditë që nga koha kur, sipas tij, iniciativa për ligjin për UÇK-në ka mbetur në pritje.
“Kryeministri doli sot para mediave dhe, me një komoditet që të fut frikën, na tha: ‘S’kam pritur drejtësi nga Specialja, e këtë javë i përgjigjemi iniciativës për ligjin.’ Këtë javë?! Sot u bënë pesëmbëdhjetë ditë prej kur me atë aktgjykim u dënua historia e UÇK-së, dhe shtatë ditë që iniciativa për ligjin e UÇK-së rri në sirtarin e Kryeministrit! Pesëmbëdhjetë ditë nga aktgjykimi! Shtatë ditë në sirtar! Dhe përgjigjja është: ‘këtë javë’?!”, ka thënë ai.
Haziri ka kundërshtuar edhe atë që e cilësoi si bartje të përgjegjësisë te ekspertët ligjorë, duke kërkuar që Qeveria të marrë vendim dhe ta procedojë iniciativën në Kuvend.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është rregullore komunikacioni, zotëri! UÇK-ja nuk është tender për zyrën e prokurimit që t’ia lësh në dorë nëpunësve e të presësh ‘vërejtjet’ e tyre! UÇK-ja është gjaku, është liria, është vetë ADN-ja e këtij shteti! Përgjegjësia politike e Kryeministrit dhe e Qeverisë nuk mund të humbasë prapa letrave, dosjeve e procedurave”, ka deklaruar organizatori i protestës.
Në fund të fjalimit, Haziri i është drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, duke kërkuar që ligji të dërgohet në Kuvend para se vendi të shkojë në zgjedhje. Ai ka paralajmëruar se protesta do të vazhdojë edhe më 1 tetor, kur është planifikuar marshi në rrugët e Prishtinës.
“Kryeministër! Mos e ço vendin në zgjedhje pa e votuar ligjin! Është koha t’i lini lojërat politike. Mendojeni Kosovën. Në këtë shesh, tash e pesëmbëdhjetë net, ka shumë të rinj e të reja që të besuan. Dërgoje ligjin në Kuvend! Leri lojërat! Dhe derisa ajo përgjigje mungon, nga ky shesh do të vazhdojë të dëgjohet: Jo në emrin tim!”, ka përfunduar Haziri.






