Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas interpretimit të një kënge nacionaliste serbe në hapjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
Gjini e ka cilësuar këtë veprim si fyerje të rëndë ndaj shtetit të Kosovës, duke kërkuar nga Brukseli sqarim për atë që e ka quajtur lëshim.
Ai ka thënë se Bashkimi Evropian, përmes kësaj ngjarjeje, ka treguar se nuk po e merr seriozisht Kosovën, ndërsa përgjegjësinë për këtë situatë ia ka adresuar edhe qeverisë së Kosovës.
Sipas Gjinit, diplomacia e dështuar, raportet e dëmtuara me aleatët dhe mungesa e Kosovës në tavolinat kryesore kanë krijuar hapësirë për provokime të tilla.
“Brukseli duhet të japë sqarim për këtë lëshim”, ka theksuar Gjini.
Kreu i Aleancës ka kërkuar reagim urgjent të institucioneve të Kosovës në rrugë zyrtare, duke vlerësuar se papërgjegjësia në udhëheqjen e shtetit po i kushton vendit.
“Kur udhëheqja jonë e trajton shtetin me amatorizëm, çmimin e paguan krejt Kosova”, ka përfunduar Gjini.






