Kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” është interpretuar në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar në Bruksel nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe komisionarja për Zgjerim, Marta Kos.
Në njoftimin zyrtar për këtë ngjarje, Komisioni Evropian kishte bërë të ditur se koncerti do të përfshinte muzikë nga vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Në të njëjtin njoftim, Brukseli ka renditur përfaqësuesit e vendeve që ishin ftuar në forum, por Kosova nuk figuron në mesin e tyre. Kështu, ndërsa në koncert u interpretua kënga serbe që përcjell pretendime nacionaliste ndaj Kosovës, vendi nuk ishte i përfaqësuar në këtë aktivitet të nivelit evropian.
Ngjarja ka nxitur reagime në Kosovë. Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kryenegociatori Jeton Zulfaj dhe politikani Ardian Gjini kanë kritikuar interpretimin e këngës dhe kanë kërkuar sqarime nga Komisioni Evropian dhe komisionarja Marta Kos.
Zulfaj ka ngritur gjithashtu çështjen e mungesës së Kosovës në forum.






