Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se veprimet institucionale për të mbrojtur vajzat dhe gratë “i kemi ndërmarrë me kohë”, derisa hedh fajin te institucionet e drejtësisë, të cilat, sipas saj, nuk po i zbatojnë ligjet.
Këto komente, Haxhiu i bëri në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke folur për rastin tragjik në Pejë, ku një grua u vra me sëpatë nga kunati i saj.
“Veprimet institucionale në kuptimin të adresimit të mekanizmave për të mbrojtur vajzat dhe gratë në Kosovë nga partnerët e tyre, nga familjarët e tyre i kemi ndërmarrë me kohë”, tha Haxhiu.
“Nëse i rikthemi asaj kohe, nuk janë ndërmarrë asnjëherë më shumë veprime për të mbrojtur jetën e vajzave dhe grave në Kosovë”, shtoi.
Problemin, thotë ajo, “që ne e kemi është që ligjet, mekanizmat që po formohen nga institucionet nuk gjejnë pastaj zbatim tek institucionet tjera: Polici, Prokurori, Gjykatë”.
“Për mua është e papranueshme që një rast i dhunës në familje kur raportohet të lirohet në procedurë të rregullt”, potencoi ajo.
Pra, sipas saj, “vetë institucionet e drejtësisë, dhunuesin po e shndërrojnë në vrasës dhe të mbijetuarën në viktimë”.






