Familja Krasniqi ka vendosur të largohet nga Kosova, pasi thonë se asnjë institucion, as arsimor, as social e i drejtësisë nuk e trajtoi siç duhet rastin e dhunës fizike ndaj vajzës së tyre, e cila u ushtrua nga një grup vajzash në gusht të vitit 2025.
Familja thotë se vajza nuk arriti ta kalojë traumën dhe se institucionet nuk i ofruan mbështetjen e nevojshme.
“Jemi detyru pas 50 viteve unë dhe familja ime, unë kam pasë karrierë në Gjilan edhe si punëtor i arsimit edhe si muzikantë, jam detyru me lënë Kosovën, gruaja ime ka qenë farmaciste, magjistër, e ka lënë punën dhe profesionin, djali im ka braktisë studimet, vajza ime e ka lënë shkollën. Traumat dhe lëndimet janë të pashërueshme dhe të përjetshme”, ka thënë Arben Krasniqi, babai i vajzës për televizionin Dukagjini.
Krasniqi tregoi se niveli lokal e qendror nuk e trajtuan rastin me seriozitet.
“Nëse flisni për Ministrinë e Arsimit, absolutisht jo. Me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan kemi pas një takim të pafrytshëm, trajtim jo profesional, nuk e kanë trajtu asnjëherë rastin me seriozitet”.
Arben Krasniqi, në një intervistë për VOX Kosova, disa ditë pasi që pamjet ku dokumentohej dhuna e ushtruar ndaj vajzës së tij ishin shpërndarë, kishte paralajmëruar se nëse shteti nuk merr masat e duhura, Kosovën do ta shohin si “të pajetueshme”. “Edhe e kemi menduar largimin, e them me shumë sinqeritet”, thoshte ai.






