Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, priti sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, z. Maxime Prévot.
U.D. Presidentja Haxhiu e falënderoi z. Prévot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, si në periudhat vendimtare të historisë sonë, ashtu edhe në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të vendit.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës sonë në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve.
U.D. Presidentja Haxhiu ritheksoi rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.






