Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu ka kritikuar ashpër situatën politike në vend dhe qeverisjen e Albin Kurtit.
E ftuar në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Haxhiu tha se vendi po përballet me një situatë të rëndë institucionale, ndërsa akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, për bllokim të institucioneve.
“Në këtë 30-ditëshin e shpikur nga Albin Kurti dhe vartësit e tij, 30-ditëshi është konsumuar. Kjo është një periudhë që për ne është jokushtetuese”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se opozita është e gatshme për zgjedhje, por sipas saj, problemi qëndron te mungesa e funksionalizimit të institucioneve.
“Qytetarët po e shohin kush është bllokues i institucioneve. Qytetarët po e shohin kush po do ta çojë prapë vendin në zgjedhje”, u shpreh ajo.
Haxhiu kritikoi gjithashtu qeverisjen aktuale për atë që e konsideroi keqpërdorim të buxhetit.
“Ne nuk mundemi me u bë model i një opozite siç kanë qenë vetë Lëvizje Vetëvendosje, por megjithatë do të shterim çdo mekanizëm ligjor e kushtetues për me treguar edhe njëherë që ne po kërkojmë me fillu detyrën tonë për çka ne kemi marrë besimin e qytetarëve”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur edhe se partia e saj do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, duke thënë se janë bërë shkelje të shumta.
“Aq shumë shkelje ka. Ligji për Qeverinë nuk është që vlen fare për z.Kurti. Ka shkelje të këtij ligji, ka shkelje të Kushtetutës së vendit, ka shkelje të Rregullores së Kuvendit”, deklaroi Haxhiu.






