Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se shqipja duhet të ketë rol të rëndësishëm edhe në hapësirat digjitale dhe në zhvillimin teknologjik. Haxhiu këto deklarata i bëri në ceremoninë e hapjes së Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Haxhiu tha se në periudhat kur shqiptarëve u mungonin institucionet e tyre, shqipja mbeti një nga format kryesore të vazhdimësisë kulturore dhe politike.
Sipas saj, me gjuhën shqipe kanë qenë të lidhura edhe e drejta për arsim, për dije, për shprehje dhe për pjesëmarrje në jetën publike.
Prandaj, tha Haxhiu, historia e shqipes në Kosovë nuk mund të ndahet nga historia politike, e cila në periudha të ndryshme ka përcaktuar edhe vendin e saj në jetën publike.
“Shumë prej nesh e kemi jetuar kohën kur shqipja u përjashtua nga shkollat dhe universiteti, nga televizioni e nga shtypi, dhe kur përdorimi i saj në jetën publike kufizohej nga vetë pushteti. Sot pabarazitë mes gjuhëve nuk shfaqen më domosdoshmërisht në këtë formë”, u shpreh Haxhiu.
Ajo tha se gjuhët që kanë korpuse të mëdha, traditë të gjatë digjitalizimi dhe mbështetje të fuqishme teknologjike gëzojnë një epërsi që nuk lidhet vetëm me numrin e folësve, por edhe me sasinë e materialit që ekziston në formë digjitale.
“Ndaj edhe kur gjuhët janë të barabarta para ligjit, ato nuk janë domosdoshmërisht të barabarta në hapësirat ku prodhohet dhe qarkullon dija”, tha Haxhiu.
Sipas saj, përvoja historike e shqiptarëve i bën ata veçanërisht të ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve. Ajo theksoi se nuk do të ishte përparim nëse hierarkitë e dikurshme gjuhësore do të zhdukeshin nga ligji, vetëm për t’u rikthyer në teknologji.
Duke folur për Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Haxhiu tha se për më shumë se pesë dekada ai ka mbledhur studiues, studentë dhe njerëz që kanë punuar për shqipen në universitete dhe qendra albanologjike brenda dhe jashtë vendit.
“Prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh, rreth këtij Seminari janë mbledhur njerëz që kanë punuar për shqipen në universitete e qendra albanologjike brenda dhe jashtë vendit. Këtu janë formuar studentë, janë mbledhur të folme e materiale nga terreni, janë hapur arkiva, janë shkruar studime dhe janë përkthyer vepra që e kanë çuar letërsinë shqipe te lexues të tjerë”, tha ajo.
Haxhiu shtoi se shumë prej këtyre punëve kanë kërkuar vite të tëra dhe kanë vazhduar larg sallave të Seminarit, në universitete, institute, biblioteka dhe arkiva.
“Prej tyre shqipja ka fituar studiues, lexues dhe prani akademike edhe jashtë vendeve ku flitet. Me zhvendosjen e një pjese gjithnjë e më të madhe të dijes në mjedisin digjital, kjo punë lidhet edhe me praninë që shqipja do të ketë aty”, tha ajo.
Në këtë kontekst, Haxhiu përmendi edhe akademikun Idriz Ajeti, i cili, sipas saj, e shihte gjuhën si një lidhje që i kapërcen ndarjet gjeografike.
“Pavarësisht shtrirjes sonë gjeografike, do të bëjmë bashkë përtej kufijve jo vetëm idenë, por mbi të gjitha njerëzit që flasin një gjuhë”, citoi Haxhiu akademikun Ajeti.
Ajo tha se Ajeti kishte parasysh kufijtë politikë që kishin ndarë folësit e së njëjtës gjuhë, ndërsa komunikimi digjital, sipas saj, e ka bërë më të ndërlikuar marrëdhënien mes gjuhës dhe hapësirës.
Haxhiu theksoi se repertori gjuhësor i individit nuk përkon më domosdoshmërisht me gjeografinë e vendit ku jeton.
Në fjalën e saj ajo përmendi edhe albanologun dhe përkthyesin Robert Elsie, duke vlerësuar kontributin e tij në studimin dhe promovimin e gjuhës e letërsisë shqipe.
“Këtë marrëdhënie mes gjuhës dhe hapësirës e njihte mirë edhe Robert Elsie, albanologu dhe përkthyesi, i cili rrugën e tij drejt albanologjisë e lidhi herët me këtë Seminar. Përktheu poetë e prozatorë shqiptarë, nga letërsia e vjetër te autorët bashkëkohorë, mblodhi e regjistroi të folme në më shumë se 150 pika, kërkoi nëpër arkiva tekste e dokumente të harruara dhe gjurmoi fotografi të hershme të viseve shqiptare”, tha Haxhiu.
Sipas saj, një pjesë të madhe të materialeve të mbledhura nga Elsie ai i bëri të qasshme në internet, duke i nxjerrë nga arkivat dhe duke i vënë në dispozicion të studiuesve dhe lexuesve në vende të ndryshme.
Haxhiu foli edhe për temën e këtij edicioni të Seminarit, që lidhet me atdheun fizik, metafizik dhe surreal. Ajo tha se kjo temë është veçanërisht e qëlluar, pasi prek marrëdhënien mes vendit dhe përkatësisë.
“Atdheu ka një gjeografi, por përkatësia nuk shteron në të. Territori mbetet një nga mënyrat themelore si e kuptojmë atdheun, por jo e vetmja mënyrë si e përjetojmë atë”, u shpreh Haxhiu.
Ajo tha se letërsia e ka dëshmuar këtë sidomos përmes përvojës së mërgimit, ku vendi i lënë pas vazhdon të jetojë në kujtesë dhe në gjuhë.
Sipas Haxhiut, sot kjo ndarje mund të ndodhë edhe pa mërgim, pasi kontakti më i dendur me gjuhë të tjera zgjeron fondin konceptual të shqipes dhe krijon regjistra e forma të reja shprehjeje.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se në fushat ku dija, teknologjia apo prodhimi kulturor zhvillohen kryesisht në një gjuhë tjetër, përdorimi i shqipes mund të fillojë të ngushtohet.
“Shqipja nuk mund të mbetet gjuhë e së kaluarës në një botë që po ndërton të ardhmen me algoritme”, theksoi Haxhiu.
Duke folur për letërsinë shqipe në hapësirat e reja digjitale, ajo tha se edhe shkrimtari po përballet me një lexues tjetër.
“Shkrimtari nuk mund të llogarisë më se lexuesi ndan me të të njëjtin kanon, të njëjtën kujtesë kulturore apo të njëjtin horizont referencash”, tha ajo.
Haxhiu vlerësoi se pjesëmarrësit në Seminar, përfshirë ata që shqipen e kanë mësuar si gjuhë të dytë apo të tretë, i afrohen letërsisë shqipe nga tradita të tjera letrare.
“Ju e lexoni tekstin shqip me një përvojë tjetër gjuhësore e kulturore dhe, në shumë raste, e çoni më pas në universitetet, studimet, përkthimet dhe gjuhët tuaja. Edhe kjo e ndryshon rrethin e lexuesve të letërsisë shqipe dhe mënyrën si ajo lexohet jashtë gjuhës në të cilën është shkruar”, tha Haxhiu.
Në fund të fjalës së saj, ushtruesja e Detyrës së Presidentes tha se edhe institucionet publike duhet të mësojnë nga puna e studiuesve, albanologëve dhe njerëzve që merren me gjuhën shqipe.
“Ju, që e studioni shqipen, e dokumentoni, e pasuroni përmes krijimit e përkthimit dhe ndiqni ndryshimet e saj me mjetet e shkencës, keni autoritetin për të na treguar ku po fiton terren, ku po humb funksione dhe çfarë nuk guxon të lihet pas dore”, tha ajo.
Haxhiu u shpreh se institucionet do të jenë në dispozicion për mbështetjen e punës në kërkim, digjitalizim, botim, përkthim dhe zhvillimin e mjeteve të reja për gjuhën shqipe.






