Haxhiu akuzon VV-në për uzurpim të pozitave shtetërore: Nëse nuk vepron Prokuroria, duhet të reagojë populli

- Advertisement -

Ish-deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka deklaruar se Albulena Haxhiu, nga dita e djeshme, nuk mban më postin e Kryetares së Kuvendit dhe as atë të ushtrueses së detyrës së Presidentes.

Ai ka vlerësuar se nëse Haxhiu vazhdon të nënshkruajë dokumente në këto cilësi, atëherë, sipas tij, ajo kryen shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Haxhiu ka thënë se në këtë rast duhet të ndërhyjë Prokuroria.

“Sot dhanë betimin deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë ka përfunduar çdo funksion i Legjislaturës së 10-të. Albulena Haxhiu nuk është më Kryetare e Kuvendit dhe as u.d. së Presidentes. Ajo ishte Kryetare e Kuvendit të Legjislaturës së 10-të. Pa votimin dhe zgjedhjen e Kryetarit të ri të Kuvendit të Lslaturës së 11-të, nuk ka as ushtruese të detyrës të Presidentit”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas tij, nëse Albulena Haxhiu, nga sot, nënshkruan si Kryetare e Kuvendit apo si u.d. e Presidentes, një veprim i tillë përbën, sipas tij, “anarki të plotë” dhe shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

“Sepse, me dhënien e betimit, ajo është vetëm deputete, e barabartë me 119 deputetët e tjerë të Kuvendit. Në një shtet normal demokratik, kur dikush uzurpon pozita shtetërore për të cilat nuk është zgjedhur, është ‘grusht shtet’ dhe Prokuroria duhet të veprojë menjëherë”, ka shkruar Haxhiu.

Ai ka shtuar se nëse Prokuroria nuk vepron, atëherë duhet të reagojnë qytetarët.

“Kur Prokuroria nuk vepron, atëherë qytetarët duhet të veprojnë për t’i mbrojtur institucionet, të cilat i kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Këto që po ndodhin në Kosovë nuk janë zhvillime normale. Janë veprime në dëm të shtetit të Kosovës, të projektuara nga Albin Kurti dhe Dejona Mihajlli. Qëllimi është i qartë, të lodhet populli me zgjedhje, deri në nënshtrim”, ka shkruar ai.

Të ngjashme

Të fundit