Hargreaves dhe PDK i rikuperojnë raportet disa javë pas deklaratave të diplomatit se krerët e UÇK u dënuan për krime individuale

- Advertisement -

Vendimi i Hagës ndaj katërshes së UÇK’së shënoi një krisje të raporteve mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe ambasadorit britanik, i cili kishte thënë se dënimet ishin individuale. Vlora Çitaku ia ktheu duke e akuzuar “ambasadorin e nderuar” se nuk e ka lexuar aktakuzën. Raporti u ‘zbut’ pak kur Çitaku dje u bë nikoqire e Jonathan Hargreaves.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, dje shkoi në zyrat e PDK’së për të uruar Vlora Çitakun që përkohësisht u vu në krye të partisë si ushtruese e detyrës së kryetares pas dorëheqjes së Bedri Hamzës.

“Pasditen e sotme, e urova Vlora Çitakun për emërimin e saj si ushtruese e detyrës së kryetares së PDK-së. Pres me kënaqësi bashkëpunimin me të gjatë muajve në vijim”, tha ambasadori.

Hargreaves tha se me anëtarët e PDK’së diskutoi edhe për  shqetësimet e partisë lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe tha se patën një dakordim.

“U pajtuam për rëndësinë e garantimit që Kosova të mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe detyrimeve të saj ndërkombëtare”.

Por, një mospajtim të thellë Hargreaves e Çitaku e patën në shtator kur u shpall aktgjykimi dënues i shkallës së parë ndaj ish-liderit të PDK’së, Hashim Thaçi, si dhe ndaj Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Ambasadori britanik në reagimin e tij për këtë ngjarje që trazoi opinionin kosovar, shpalosi qëndrimin e shtetit të tij.

“Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm. Personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimet e tyre”, kishte thënë ai.

Çitaku, që veçse iu kishte reaguar qëndrimeve të ndërkombëtarëve për këtë çështje duke kujtuar se Thaçi dikur prej tyre ishte vlerësuar aq sa e kishin krahasuar edhe me George Ëashingtonin, i ishte përgjigjur në veçanti ambasadorit britanik.

“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktgjykimin e Gjykatës. Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale. UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, kishte shkruar Çitakut.

“Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike. Mos na qitni hi syve”.

Për më tepër, në reagimin e saj Çitaku i kishte akuzuar se me “reduktimin” e “relativizimin” e këtij vendimi “mundeni me ble vullnet e paqe me Serbinë e me të tjerët”.

Por, në takimin që pati dje me ambasadorin britanik, Çitaku, siç tha PDK, “nënvizoi rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të drejtësisë, të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të vendimmarrjes së mbështetur në fakte e prova, të pavarur nga ndikimet politike”.

Në takim u riafirmua rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me aleatët e saj, si dhe përkushtimi ndaj perspektivës euroatlantike të vendit, me synim anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, u tha në njoftimin e partisë.

Pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, që kaloi në mesnatën e 6 dhe 7 tetorit kur edhe u zgjodh Presidentja, PDK kërkoi nga Presidentja që atë ta kthejë sërish në Kuvend. Deri tash ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim në Kuvend, derisa PDK kishte kërkuar që kjo të bëhej pa vonesa

Të ngjashme

Të fundit