Kreu i Ramush Haradinaj ka vlerësuar punën e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në nivel lokal, duke veçuar komunën e Rahovecit si model të qeverisjes efikase dhe zhvillimore.
Në një reagim publik, Haradinaj theksoi se “komunat e udhëhequra nga Aleanca dhe kryetarët e saj shquhen për qeverisje efikase, zhvillimore dhe të vlerësuar edhe nga organizata ndërkombëtare”, duke shtuar se Rahoveci mbetet “një prej shembujve më të mirë të këtij modeli të suksesit”.
Ai vlerësoi veçanërisht punën e kryetarit të komunës, Smajl Latifi, për të cilin tha se “ka dëshmuar se puna, përkushtimi dhe vizioni i qartë sjellin rezultate konkrete për qytetarët dhe zhvillim për komunën”.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në strukturat partiake, Haradinaj bëri të ditur se në Kuvendin Zgjedhor të Degës së AAK-së në Rahovec, delegatët i kanë besuar mandatin katërvjeçar Fatmir Iska. “Ky është vlerësim për punën e deritanishme të tij në shërbim të qytetarëve dhe besim i plotë se puna e mirë do të vazhdojë edhe më fuqishëm në vitet që vijnë”, u shpreh ai.
Haradinaj falënderoi gjithashtu strukturat dhe aktivistët e partisë ndër vite, duke theksuar se ata “me përkushtim e kanë bërë Aleancën forcë udhëheqëse në Rahovec”.
Në fund, ai theksoi mobilizimin e partisë, duke deklaruar se “Aleanca në Rahovec dhe kudo në Kosovë është sot më e mobilizuar, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për fitore të reja dhe për t’i shërbyer qytetarëve me nder e përgjegjësi”.






