Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka vazhduar aktivitetet elektorale në Klinë, ku ka kritikuar gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke thënë se qytetarët nuk jetojnë më mirë pas gjashtë vitesh qeverisjeje.
Duke iu drejtuar qytetarëve, Hamza tha se realiteti i përditshëm tregon se premtimet e qeverisë nuk janë përkthyer në përmirësim të jetës së njerëzve.
“Edhe në Klinë, qytetarët e kanë të qartë përgjigjen: JO. Nuk jetojnë më mirë tani. Çmimet nuk janë ulur. Pagat nuk janë rritur. Cilësia e shërbimeve publike është përkeqësuar. Arsimi nuk është bërë më cilësor. Të rinjtë nuk kanë perspektivë. Familjet nuk ndihen më të sigurta”, deklaroi Hamza.
Ai theksoi se zgjedhjet e 7 qershorit janë mundësi për t’i dhënë fund krizës dhe për të zgjedhur një drejtim të ri për vendin.
Sipas Hamzës, pakënaqësia e qytetarëve me gjendjen aktuale duhet të reflektohet edhe në kutitë e votimit.
“Prandaj, JO duhet të jetë edhe përgjigjja për këtë qeveri”, tha ai.
Hamza u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin alternativën e PDK-së për zhvillim ekonomik, paga më të larta, shërbime më cilësore dhe më shumë perspektivë për të rinjtë, në kuadër të programit “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”.






