Hamza nga Gjilani: Anamorava ka zgjedhur ndryshimin, qytetarët po i thonë STOP krizës

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se Gjilani dhe Anamorava janë të vendosur t’i japin Kosovës një drejtim të ri në zgjedhjet e 7 qershorit, duke mbështetur programin e PDK-së për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.

Në një tubim me qytetarë të Gjilanit, Hamza tha se mesazhi që po vjen nga Anamorava është i qartë: fund krizës, çmimeve të larta dhe mungesës së perspektivës.

“Gjilani i prin ndryshimit në Anamoravë. Gjilani ka vendosur t’i thotë stop krizës, stop çmimeve të larta, pagave të ulëta dhe mungesës së shpresës. Gjilani ka vendosur të votojë ndryshe, për ta ndryshuar Kosovën”, tha Hamza.

Ai theksoi se programi i PDK-së ofron zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen qytetarët, duke nisur nga ulja e barrës financiare mbi familjet, rritja e mirëqenies dhe krijimi i vendeve të reja të punës.

Hamza u zotua për çmime dhe tatime më të ulëta, paga e pensione më të larta, mbështetje më të madhe për bizneset vendore, investime në energji, infrastrukturë dhe teknologji, si dhe për një ekonomi që krijon më shumë mundësi për të rinjtë dhe familjet kosovare.

Sipas Hamzës, zgjedhjet e 7 qershorit janë mundësi për t’i dhënë fund krizës dhe për të ndërtuar një Kosovë me më shumë zhvillim, siguri dhe shpresë.

“Stop krizës. Ndrysho Kosovën”, është mesazhi me të cilin PDK po zhvillon fushatën e saj për zgjedhjet parlamentare.

Të ngjashme

Të fundit