Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, tha se situata e krijuar në veriun e Kosovës nuk duhet të nxitet sepse sipas tij një gjë e tillë mund t’i kushtoj Kosovës.
Haliti në studion televizive të emisionit “Info-Nata” në Tëvë1 tha se veprimi i Policisë së Kosovës është bërë mbi bazën e urdhrave, derisa shtoi se veprimet e policisë bëhen për ruajtjen e rendit dhe qetësinë atje për të gjitha komunitetet pa dallim.
“Këtu policia e Kosovës vepron mbi bazën e urdhrave dhe vendimeve që nxjerr politika. Ne nuk jemi në luftë dhe nuk e kemi dërguar policinë e Kosovës për me luftu. Ajo është për ta ruajtur rendin dhe qetësinë atje, edhe serbët edhe boshnjaket edhe shqiptarët që janë atje”, u shpreh Haliti.
Ai tha se kështu duhet të flitet nëpër të gjitha nivelet e komunikimit, derisa shtoi se kjo situatë mund të shfrytëzohet për një marrëveshje të pranueshme për Kosovën dhe Serbinë.
“Kështu duhet të flitet dhe jo të nxisim situata të cilat mund të kushtojnë. Është situatë kur ne duhet të përpiqemi të ruajmë gjakftohtësinë, t’i japim mesazh të duhur bashkësisë ndërkombëtare dhe këtë situatë të krijuar ta shfrytëzojmë maksimalisht me qëllim që të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja palët dhe të stopohet situatat që janë ndezëse dhe të rrezikshme jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin”, tha Haliti.