Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka komentuar praninë e përfaqësuesve të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, shkruan Scanner.
Gruda tha se kjo prani nuk duhet të shihet vetëm si një element protokollar, por si një sinjal me rëndësi politike në rrethanat aktuale.
Sipas tij, prania e partnerëve ndërkombëtarë përcjell mesazhin se ata janë kundër çdo veprimi që cenon rendin kushtetues dhe funksionimin institucional të Kosovës.
“Funksionimi i Kuvendit, respektimi i Kushtetutës dhe i institucioneve të shtetit nuk mund të varen nga vullneti politik i një partie apo i një individi”, deklaroi Gruda.
Postimi i plotë:
Sot ishte një moment i ri në Kuvendin e Kosovës.
Në seancën e Kuvendit, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian.
Kjo prani nuk duhet parë thjesht si një detaj protokollar. Në rrethanat e krijuara, ajo ka një domethënie të veçantë politike dhe përçon një mesazh të qartë: partnerët tanë ndërkombëtarë janë kundër çdo përmbysjeje të rendit kushtetues.
Funksionimi i Kuvendit, respektimi i Kushtetutës dhe i institucioneve të shtetit nuk mund të varen nga vullneti politik i një partie apo i një individi.






