Gruda: Kuvendi nuk është konstituuar pa nënkryetarin e PDK-së

- Advertisement -

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pasi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Gruda, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.

Ai është shprehur se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë, sipas tij, se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

“Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund t’i shkelë afatet dhe pastaj PDK-së t’ia marrë të drejtën kushtetuese”, ka shkruar Gruda.

Sipas tij, PDK nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, deri në sqarimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese.

“E para, PDK-ja nuk ka refuzuar ushtrimin e së drejtës së saj kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit. Përkundrazi, në letrën zyrtare që kemi dërguar kemi sqaruar shprehimisht se nuk heqim dorë nga e drejta jonë për të propozuar, por përmbahemi përkohësisht nga ushtrimi i saj, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë rrethanat kushtetuese të krijuara rreth konstituimit të Kuvendit. Ka dallim thelbësor ndërmjet heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të saj për shkak të një kontesti kushtetues që kërkon interpretim nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet mes tjerash.

Njëherësh, Gruda ka akuzuar Vetëvendosjen se ka shkelur afatet për konstituimin e Kuvendit dhe se ka përdorur, siç i ka quajtur ai, “manovra procedurale” që kanë pamundësuar përfundimin e procesit.

“ Nuk mund të funksionojë rendi kushtetues sipas standardit që njëra palë i shkel të gjitha afatet, thërret seanca kur dëshiron vetë, nuk e përfundon konstituimin kur ne marrim pjesë dhe, në fund, thërret një seancë tjetër jashtë çdo afati dhe deklaron se Kuvendi qenka konstituuar pa ne. E treta, një interpretim i tillë do të krijonte një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm kushtetues: pala që ka shkaktuar dhe vazhduar shkeljen e afateve kushtetuese do të përfitonte juridikisht pikërisht nga shkelja e vet. Në vend që shkelja të prodhonte përgjegjësi kushtetuese, ajo do të përdorej si bazë për t’ia mohuar një subjekti tjetër parlamentar një të drejtë që ia garanton vetë Kushtetuta”.

Të ngjashme

Të fundit