Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka deklaruar se nuk pajtohet me gjashtë kushtet e paraqitura nga Aleanca, të cilat, sipas saj, duhet të plotësohen nga LVV-ja në mënyrë që të shqyrtohet mbështetja për zgjedhjen e Mostit të Shkurtër.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Gola tha se nuk është e drejtë që një partie t’i imponohen kushte të tilla.
“Unë mendoj që nuk është e drejtë dhe as korrekte të vendosen gjashtë pika dhe të thuhet: ose i pranoni, ose nuk i pranoni”, ka thënë Gola.
Ai ka veçuar si problematike pikën që lidhet me gazin amerikan, duke thënë se ajo krijon një perceptim të gabuar për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
“Ajo që më ka penguar mua në këto gjashtë pika është çështja e gazit amerikan. Ka një tendencë për të krijuar një kauzë të mbështetur mbi një portretizim komplet të gabuar politik për kryeministrin Kurti, sikur ai të jetë antiamerikan. Mua kjo më pengon, sepse është një thjeshtësim dhe një lloj delegjitimimi i dialogut, ku një person vendoset në një kallëp dhe etiketohet si antiamerikan”, është shprehur ai.
Sipas Golës, çështja e gazit amerikan nuk mund të përdoret për të vënë në dyshim orientimin strategjik të Kosovës apo të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Gazi amerikan nuk mundet në asnjë mënyrë të përcaktojë orientimin strategjik të Kosovës dhe ta dëmtojë pozicionimin e saj të qartë pro-perëndimor, veçanërisht pro-amerikan. Për këtë nuk ka asnjë dilemë. Mund të ketë nuanca dhe mospajtime për çështjen e gazit, por gabimi që po bën opozita është se po e shfrytëzon këtë temë për ta portretizuar kryeministrin Kurti si antiamerikan”, ka deklaruar Gola.






